Basketbollisti i njohur kosovar, Drilon Hajrizi ka dalë kundër vendimit të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për pezullimin e aktiviteteve sportive, më saktësisht atyre që zhvillohen në ambientet e mbyllura
Me këtë rast, klubet e basketbollit nuk do të mund të ushtrojnë në palestra për një kohë.
Dhe, ky vendim e ka frustruar njërin prej basketbollistëve më të mirë që i ka Kosova.
Sipas tij, nëse sportistëve nuk ju lejohet të ushtrojnë, atëherë karriera e tyre merr fund.
Ai madje dyshon nëse ia vlen të vazhdojë të luajë basketboll më.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, mitrovicasi e ka shprehur zhgënjimin dhe mllefin e tij, ndërsa e ka një porosi për Qeverinë Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“A ka sporti ndonje perfaqesues qe i mbrone dhe e ngrite zerin per sportistet? … apo ndoshta perfaqesuesit perfaqesojne ata qe nuk do te duhej t’i perfaqesonin! Eshte evidente dhe normale qe fokusi kryesor te jete lufta kunder pandemise, por permes mediave shoh se sa jetim eshte sporti! Shoh qendrat tregtare, parlamentin e kafenet perplote me njerez, e mua qe individualisht stervitem pa asnje kompenzim per lojerat e Nentorit m’i ndaloni ato? Nese ma ndaloni stervitjen, une kerkoj prej ministrit te na perfaqesoi ne keto lojera. Besoj shume ne kapacitetin e tij prej sportisti, aq sa ne ate prej ministri! E di qe nuk refuzon! Ky sakrifikohet per Ceshtjen! Suksese minister e meshnet numrin 12, Drilon Hajrizi”, ka shkruar basketbollisti i Pejës.
Edicioni 2019/2020 i Superligës së basketbollit u ndërpre në fund të muajit mars pas përhapjes së pandemisë koronavirus në Kosovë.