Haki Abazi, deputeti i parë në histori të Kuvendit që përjashtohet nga grupi parlamentar

Prishtinë | 05 Maj 2023 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje të mërkurën ka sjellë një standard të ri në historinë e parlamentarizmit kosovar. Vendimi i kësaj partie për të përjashtuar deputetin Haki Abazi nga grupi parlamentar ka shënuar rastin e parë që një parti politike ka përjashtuar një deputet nga gjiri i saj.

Monitoruesit e punës së Kuvendit nga shoqëria civile kanë bërë me dije për gazetën Nacionale se deputeti Haki Abazi bëhet deputeti i parë që është përjashtuar nga një grup parlamentar. Në kushte anonimiteti, ata i kanë thënë gazetës, se historia e parlamentarizmit në Kosovës deri me tani ka njohur vetëm rastet kur deputetët me dëshirë janë larguar nga një partitë politike.

Përjashtimin e Abazit, partia më e madhe në vend e kishte bërë të ditur përmes një njoftimi, të cilin ia kishte dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcsa.

“Me anë të kësaj shkrese në emër të Grupit Parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje ju informojmë se deputeti Haki Abazi, nuk është më pjesë e grupit tonë parlamentar. Ju lutemi, të udhëzoni administratën për veprime pasuese”, është thënë në njoftimin e GP-së së VV-së, të cilin e k publikua Koha.

Kurse, shefja e Grupit Parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, për të njëjtën media kishte treguar se vendimi për përjashtimin e Abazit ishte marrë në mënyrë unanim në grupin parlamentar.

Abazi e ndërron ulësen

Një ditë pas njoftimit për përjashtim, deputeti Haki Abazi ka ndërruar edhe ulësen në Kuvend, duke u larguar nga pjesa ku ulen deputetët e VV-së.

Në seancën e djeshme të Kuvendit, ai është ulur në ulësen në fund, afër deputetit Fatmir Humolli, i cili po ashtu është larguar nga GP i Vetëvendosjes.

Përjashtimi ka ardhur një ditë pasi deputet Abazi ka pretenduar që atij i është orkestruar një përplasje fizike me Salih Zybën me urdhër të Albin Kurtit dhe Mimoza Kusarit.

Në profilin e tij në “Facebook” ai ka shkruar për atë që e quajti “incidenti i radhës” duke treguar me fjalët e tij se çka ndodhi.

“Kur shkova te ulësja në Kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelën time nga aparati, dhe afër tij kishin zhvendosur Salih Zybën.”, kishte treguar Abazi.

Historiku i përplasjes së Abazit me VV-në
Historia e mospajtimeve të deputetit Abazi me partinë e tij ka filluar në këtë legjislaturë.

Edhe javën e kaluar, deputeti i VV-së, Salih Zyba, e kishte penguar deputetit Haki Abazi gjatë fjalës së tij në foltore të Kuvendit të Kosovës.

“Ne kena mujtë me i nda rrugët por rrugën s’mujna me ia ndalë njëri-tjetrit… Mos ke dashtë me e provu picën e PDK-së?” – i kishte thënë Zyba, që i kishte ndërhyrë edhe në fjalë.

“Kur të vjen puna me hangër pica të PDK-së, besoj që shihemi tjetërkund.” – ia ktheu Abazi duke i thënë mes tjerash edhe “të lutem mshele gojën,”

Përveç kësaj, Abazi i kishte kërkuar Zybës edhe disa sqarime tjera.

“Tani z. Zyba që duket se jeni emëruar si emisar për të kundërshtuar e për të bërë zhurmë, unë kisha dashtë ty me të dëgju duke folë për çështjen e znj. Çavdërbasha si zëvendësministre, se si dhe për çfarë është larguar nga vendi i punës. Për znj. Tropika Agaj, po ashtu që ti nuk e ke thanë asnjëherë asnjë fjalë, e për znj.Valëza Mjeku. Do të thotë janë tri femra që janë largu nga pozitat e tyre pa u thënë asnjëherë asnjë fjalë,”, kishte thënë Abazi.

Deputeti Abazi nga fillimi i kësaj legjislature ka filluar pakënaqësitë në lidhje me Qeverinë Kurti dhe sidomos me shefen e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarin.

Ai e kishte drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti për procesin e dialogut dhe për politikën e jashtme.

Abazi ishte shprehur kritik edhe për strukturën e brendshme të VV-së.

Këtë parti, ai e kishte akuzuar edhe për zhdukjen e provave të Astrit Deharit.

Pas këtyre kritikave, VV-ja Abazin e kishte larguar edhe nga posti i Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme.

Në Qeverinë Kurti I, Abazi ishte njeri shumë i fuqishëm. Për shkak të ndikimit të tij ai kishte marrë postin e zëvendëskryeministrit.

Të ngjashme