Analisti politik Jeton Halimi e ka vlerësuar takimin mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe zhbllokimin e institucioneve të Kosovës.
Halimi ka thënë se pas takimit ka shpresë që palët të arrijnë një marrëveshje politike, duke vlerësuar se një figurë konsensuale për president do të mund të merrte mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Halimi ka kritikuar klasën politike për, siç tha, populizëm dhe zvarritjen e krijimit të institucioneve, duke bërë thirrje që ngërçit politik t’i jepet fund.
“Unë e besoj që tashmë edhe populli është ngopur edhe njerëzit janë lodhur prej këtyre politikëbërsve tonë në Kosovë, duke përfshirë edhe opozitën edhe pozitën, e veçanërisht Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje që po bëjnë populizëm dhe po mundohen të marrin vota në kurriz të popullit dhe shfrytëzimin e buxhetit të taksapaguesve të Republikës së Kosovës. Takimi i mbrëmshëm besoj që është një shpresë që mund të ketë një president konsensual me marrëveshje politike klasike me LDK-në siç ka pretenduar Albin Kurti. Shpresoj se Albin Kurti të mos i ketë këto vetëm fjalë për opinion dhe për konsum të brendshëm dhe kishe po dua me i themeluar institucionet e Kosovës dhe besoj të gjendet një marrëveshje politike dhe të zgjidhet presidenti dhe ngërçi politik dhe t’i tregojmë Evropës dhe Amerikës që Kosova di me i themeluar institucionet e Kosovës dhe din me i bërë institucionet e Kosovës”, tha ai.
Ai ka kërkuar nga partitë politike që t’i japin fund, siç u shpreh, populizmit dhe përplasjeve politike, duke theksuar se Kosova nuk duhet të mbetet pa institucione.
“Mjaft më me këto populizma se fundi në fund jemi shqiptar, kutia e cakton të parin, të dytin mos të bëjnë politika vëllavrasëse e pamë çfarë ka ndodhur në Kuvend, që sa vite pa institucione dhe shpresoj që t’i japim fund këtij populizmi, këtyre ngërçeve politike dhe ky popull i shumëvuajtur mos t’i përjetojë edhe një herë nga këta politikanë vetëm e vetëm për interesat e tyre dhe për xhepat e tyre dhe për njerëzit e tyre”, tha ai.
Halimi ka komentuar edhe emrat që janë përmendur në diskutimet publike për presidentin e ardhshëm, duke vlerësuar se Ilaz Ramajli mund të jetë një figurë konsensuale.
“Unë i kam parë edhe mbas takimit deklarata e Albin Kurtit kryeministër në detyrë se s’është askush kryeministër në detyrë tash ligjërisht, po po e thonë shumica e mediave, po nuk është ashtu, dhe të kryetarit të LDK-së, zotërit Abdixhiku. Janë lakuar emrat, është Ilaz Ramajli një figurë unifikuese besoj me mjaft respekt dhe i dimë çfarë ka punuar ai në kohën e okupimit dhe i dimë shumë mirë edhe ai tjetri, po unë shpresoj që nëse këta dy emra lakohen apo përmenden në opinion besoj që Ilaz Ramajli mund të jetë një president i ardhshëm konsensual, që do ta merr edhe aminin të partive të tjera opozitare PDK dhe Aleanca”, tha ai.
Sipas tij, zhvillimet ndërkombëtare dhe sfidat ekonomike e bëjnë edhe më të nevojshme që Kosova të ketë institucione funksionale.
“Të ecin tutje dhe pi shohim zhvillimet në arenën e jashtme, lufta me Iranin, shtrenjtimet e karburanteve, lufta në Ukrainë dhe politikanët gjejnë kohë dhe bëjnë populizma vetëm e vetëm për njerëzit e tyre dhe për interesat e tyre, e thash edhe më herët se nuk është dashur të vijë kjo gjendje, po ja pra jemi këtu. Këto figurat politike që po përmenden besoj që e përmbushin një kriter për të kaluar këtë ngërç politik dhe shpresojë të bëhet gjatë kësaj jave edhe marrëveshja politike dhe të shkohet në Kuvend për të themeluar institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Halimi për Ekonomia Online.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për profilin potencial që do të duhet të ketë kreu i ri i shtetit.
Pas takimit më shumë se dyorësh në ambientet e Kuvendit, të mbajtur me 18 gusht, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, u shprehën se ka vullnet që dy partitë të arrijnë një pajtim për të gjetur një emër për presidentin.
Takimi, sipas Kurtit, u zhvillua në atmosferë pozitive, duke shtuar se ai pa vullnet te pala tjetër, që vendi të ketë një president të ri.
Ai tha se aktualisht nuk mund të flitet për emra konkretë.
Abdixhiku, ndërkaq, tha se dy partitë do të zhvillojnë diskutime brenda partive të tyre dhe në takimin e ardhshëm do të bisedojnë për emra konkretë.
Abdixhiku shtoi se është i bindur që mund të gjendet një figurë meritore për postin e presidentit.
Sipas LDK-së, presidenti i ri duhet të jetë një figurë që e do Republikën, e mbron atë, dhe ushtron unitetin politik, ashtu siç kërkohet me Kushtetutë. Abdixhiku tha se për këto parime, palët kanë gjeutr pajtim.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar disa ftesa të Kurtit për takime, por udhëheqësi i LVV-së tha se ende është i gatshëm që të takohet me këto dy parti për çështjen e presidentit.
Takimi i 18 gushtit vjen disa ditë pasi Abdixhiku njoftoi se nuk dëshiron marrëveshje politike me Kurtin për formimin e institucioneve të reja, por shtoi se është i hapur për mbështetjen e një kandidati konsensual, jopartiak për postin e kreut të shtetit.
