Hamza: Pagat në sektorin publik të rregullohen me ligj, rritja ndikon negativisht në buxhet

Prishtinë | 29 Dhj 2017 | 10:39 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pagat në sektorin publik duhet të rregullohen me ligj, thotë ministri i Financave Bedri Hamza, në një intervistë për Ekonomia Online. Iniciativa që kjo çështje të rregullohet më ligj është e kamotshme, por që nuk ka gjetur ende zbatim.

Por sipas shefit të kuletës së shtetit, pagat nuk mund të rregullohen me vendim të veçantë, ndonëse ditë më parë kreu i ekzekutivit morri vendim që të rrisë pagën për vete dhe një pjesë të stafit të tij.

Rritja e pagës së kryeministri do të ndikoj edhe rritjen e pagave në sektorë të tjerë. Prandaj Hamza, tha se patjetër është i nevojshëm nivelizimi sepse për punën e njëjtë paga është e ndryshme edhe në ministri e Qeveri.

Hamza paralajmëron se nivelizimi i pagave do të sjell edhe uljen e pagës nëse vlerësohet se janë kaluar limitet e lejuara.

“Nëse kjo fushë nuk rregullohet me ligj atëherë po e them me përgjegjësi është fushë e parregullume, ka pabarazi ka njerëz që për punë të njëjta, për punë të ngjashme paguhen ndryshe ka edhe për brenda ministrisë edhe brenda qeverisë, prandaj kjo reformë e rregullon komplet krejt sistemin e sektorit publik t’u e përfshi edhe kuvendin, edhe presidencën edhe qeverinë”, sqaroi Hamza.

“Ndoshta dikujt do t’i rritet paga për shkak të nivelizimit për shkak të trajtimit korrekt të kësaj çështje por ka raste nëse dikush i ka kaluar limitet e mjaftueshme ka me pas efektin edhe me zvogëlimin e pagës. Mirëpo nuk mendoj që çështja e pagave në sektorin publik nuk mund të rregullohet me vendime të veçanta duhet të rregullohet me ligj qysh e kanë shumica e shteteve të rregullime dhe duhet të ketë edhe Kosova, ka pasur tentativa disa herë për këtë çështje, por besoj që është koha e fundit shërbimi publik tu e përshi shërbimi civil, shëndetësinë, policinë dhe të gjitha të tjerat të rregullohen me ligje dhe të kenë një trajtim korrekt, brenda sistemit publik”, tha ministri.

Ministri Hamza ka paralajmëruar rritjen e pagave prej 4% nga janari në të gjithë sektorët, edhe pse thotë se çdo rritje e pagave ndikon negativisht në buxhetin e shtetit ngase rriten shpenzimet.

Por sipas tij, kjo duhet të ndodh sepse është pjesë e obligimeve që kanë marrë institucionet, raporton EO.

Madje ai tha se edhe numri i madh i ligjeve që kanë qëllim vendosjen e rregullit në Administratën Publike, edhe pse kanë kosto buxhetore duhet miratohen ngase janë obligime që Kosova ka marrë nga MSA.

“Çdo vendim i cili ka kosto ka impakt negativ në buxhetin e Kosovës dhe ndikon në buxhetin e Kosovës, i rrit shpenzimet e buxhetit të Kosovës. Unë besoj dhe është pjesë e obligimeve tona që kanë marrë institucionet e vendit tonë që të shtyjmë përpara reformën e administratës publike”.

“Ne kemi folur gjatë për disa ligje që duhet të aprovohen, unë si ministër i Financave edhe në supozimin që këto ligje kanë kosto shtesë ministria e Financave do t’i përkrahë me qëllim që të krijojmë një rregull dhe një rend në sektorin publik. Ligjet që janë në strategji legjislative dhe cilat ka marrë obligim ministria e Administratës Publike, Qeveria e Republikës së Kosovës janë pjesë e marrëveshjes së MSA-së që të shtyhen përpara unë besoj se do të adresohen në gjashtë mujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha Hamza.

Sa i përket rritjes së buxhetit për sistemin e drejtësisë, Hamza thotë se janë bërë gjithë këto ndryshime ngase ky sektor është imponuar si top prioritet.

“Besoj që ka qenë sektori i cili ka pas prioritet për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial dhe organet e rendit kanë pas prioritet, nëse shikojmë buxhetin e vitit të ardhshëm shohim se ka pozita shtesë, ka buxhet shtesë edhe te pagat edhe shërbimet edhe te kapitali sepse e dimë që është imponuar si top prioritet sundimi i rendit dhe ligjit”.

Ministri i Financave shprehet i bindur se Kosova do të shënoj rritje ekonomike në mënyrë që të ketë edhe rritje të buxhetit dhe uljes së informalitetit.

“Kosova ka mundësi që të ketë një nivel pak më të lartë të rritjes ekonomike i cili Kosovës do t’i mundësonte më pastaj edhe rritjen buxhetit, për një buxhet më të madh si rezultat i rritjes ekonomike edhe si rezultat i rritjes së informalitetit se e dimë që gjitha raportet thonë që infromaliteti në Kosovë është prezentë në nivele kogja të larta, por do të ketë mundësi për me i adresuar edhe sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës siç është deficiti i lartë tregtar, deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe numri i lartë i papunësisë prandaj besoj që me një punë të kujdesshëm duhet u rrit produktiviteti kemi mundësi që të kalojmë në një nivel më të lartë të rritjes ekonomike”.

Hamza ka paralajmëruar se janë duke negociuar edhe disa marrëveshje financiare me institucione ndërkombëtare, por se do t’i kushtohet rëndësi mos rritjes së borxhit publik.

“… këto ditë jemi në fazën e negocimit edhe të disa marrëveshjeve të tjera një pjesë e tyre gjithashtu janë grant, janë para falë dhe pjesa tjetër do të jetë kredi për projektet që kanë nivel të lartë të kthimit dhe kanë rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik. Unë sa i përket borxhit publik gjithmonë e them se dëshiroj të jemi kujdesshëm, dëshiroj që borxhi publik të rritet në formë shumë të kujdesshme në formë graduale dhe vetëm për projekte  të cilat realisht kanë arsyeshmëri shumë të lartë”.

 

Të ngjashme