Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit të presidentes që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor.
Ai tha se, ndonëse partia e tij kishte propozuar datën 21 dhjetor si më të përshtatshme, vendimi është marrë dhe tashmë fokus duhet të jetë procesi zgjedhor.
Hamza deklaroi se PDK është “e bashkuar, e mobilizuar dhe e gatshme” për të hyrë në zgjedhje me ekip, program dhe vizion të qartë. Ai theksoi nevojën për kthimin e stabilitetit dhe funksionimit normal të shtetit, duke premtuar se fitorja e PDK-së do të jetë në të mirë të Kosovës.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të jenë të bashkuar dhe të vendosur për një Kosovë që “punon, zhvillohet dhe ecën përpara”.