Hamza: PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

Prishtinë | 15 Maj 2024 | 15:27 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Ai në një konferencë për media tha se prioritet është interesi i qytetarëve dhe jo i individëve.

Ai ka thënë se ky qëndrim i PDK-së vjen si rezultat i kandidaturës së tij për kryeministër dhe jo për shkak të takimit me kryeministrin Albin Kurti.

“Falënderoj Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, që kanë përkrahur qëndrimin tim të bërë publik para shumë kohësh dhe së fundmi me datën 4 prill në një studio televizive – votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për ne, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisw politike dhe në fundi i yni si individë brenda partisë politike, por mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht, Kosova është nën masa, nën sanksione dhe janë qindra miliona euro të bllokuara”, shtoi ai.

Hamza tha se për këtë arsye duhet të kthehet optimizmi te qytetarët dhe të krijohet klima e mirëbesimit nga investitorët ndërkombëtarë për të krijuar vende të reja pune dhe përmirësim të standardit të jetesës.

“Siç e dini standardi i jetesës së qytetarëve tanë është rënduar viteve të fundit si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve, e cila nuk ka qenë e përcjellur me ngritjen e të ardhurave. Këto trende duhet të ndalohen, duhet të punojmë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë. Përndryshe do të vazhdojmë të ballafaqohemi me rrezikun më të madh që ka Kosova, e që është emigracioni. Nëse e humbim fuqinë punëtore, kapitalin, vajzat, djemtë e rinj, burrat, gratë, personat e kualifikuar, atëherë ky do të jetë një dëm i madh për vendin”, theksoi i nominuari i PDK-së për kryeministër.

Hamza ka qenë kritik i fondeve që nuk janë shfrytëzuar.

“Përveç milionave që janë bllokuar, ka edhe qindra miliona të tjera që janë të bllokuara dhe që nuk janë të shfrytëzuara si rezultat i paaftësisë për t’i shfrytëzuar. Sa herë të ketë nënshpenzim, nënkupton se është mospunë. E kuptoj kur projektet presin për financim, por nuk i kuptoj ato kur presin paratë për t’i shpenzuar”, u shpreh ai.

Ai është pyetur nëse gjatë takimit Kurti-Krasniqi ishte arritur marrëveshja që Hamza të jetë kandidat për kryeministër dhe që të ketë koalicion të mundshëm mes VV-së dhe PDK-së. Mirëpo Hamza ka mohuar një marrëveshje të tillë.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë koalicioni. Ne jemi në garë për të punuar fort që t’i bindim qytetarët me program, me ekip, me listë me të gjithçka që kërkon fushata”, ka thënë Hamza.

Hamza e sheh të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje.

“Ne kemi bërë publike moti që vendi ka nevojë të shkoj në zgjedhje. Situata ekonomike nuk është e mirë, po flasim për dallimin a është më përshtatshme në këtë stinë në këto muaj. Mos të harrojmë vitin 2020 nga VV sa i përket nëse ka dakordanc dhe ka vullnet unë gjithmonë jam ithtar i përkrahjes së vendit të ketë edhe bashkëpunim e bashkërendim me subjektet politike nëse ka tentativa ajo është çështje tjetër”.

Të ngjashme