Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se nuk kanë parë masa të duhura për trajtimin e gjendjes në ekonomi nga Qeveria e re, raporton Ekonomia Online.
Ai në një konferencë për medie tha se qeveria është duke u vonuar sa i përket masave për rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Ne e dimë që jeta e secilit është shumë e rënduar por kemi masa të deskuilibruara, dhe nuk kemi parë masa të duhura për trajtimin e gjendjes ekonomike, janë duke u vonuar dhe nuk është qëllimi jonë që si opozitë vetëm të kritikojmë. Nuk po jep sinjale të duhura”tha Hamza.
Ai ka thënë duhet të nis shpërndarja e mjeteve për bizneset.
“200 milionë euro janë të ndara për mbështetjen e sektorit privat. Gjithashtu 30 milionë euro janë të ndara dhe të dedikuara për të gjithë të punësuarit që e kanë humbur punën e tyre si rezultat i pandemisë. Bizneset dhe ata që kanë humbur vendet e punës nuk e kanë marrë mbështetjen e shtetit. Sektori i gastronomisë është goditur më së shumti, por janë edhe sektorët tjerë. Mbyllja do të duhej të bëhej me një planifikim më të mirë dhe më të kujdesshëm. Qeveria duhet të ketë masa të qarta, të sakta dhe të zbatojë ligjin.”, ka thënë ai.
Ai tha që duhet të zbatohet ligji dhe të kompensohen pagat e punëtorëve dhe qiratë.
“Jemi vonë dhe ligji që është miratuar në Kuvend, duhet të zbatohet sa më parë. Pse ne nuk kemi kontratë për furnizim me vaksina, meqenëse paratë janë aty. Është e vetmja mënyrë që të imunizojmë popullin dhe të hapim ekonominë. E dimë që nuk është lehtë, mirëpo nëse vendet e rajonit kanë ardhur deri te 3-4 furnizues, pse ne nuk kemi akoma një kontratë.
“Është kërkesë e jona, ne do të jemi shumë kërkues që të zbatohet ligji, që pjesa e ndarë të kaloj në biznese edhe tek ata që kanë humbur vendet e punës, dhe kërkojmë nga qeveria një program të veçantë për rimëkëmbjen ekonomike, sepse jemi ndër vendet me probleme ekonomike shumë të mëdha”, tha Hamza.
Ai tutje tha që do duhet të jetë një kompani e duhur për vaksinim e qytetarëve kundër Covid-19, sikur çdo shtet tjetër.
“Nëse mjetet janë brenda buxhetit dhe të ndara, pse nuk kemi një kontratë me ndonjë prej kompanive për vaksinat”, tha Hamza.