Hamza tregon që janë duke biseduar për koalicione parazgjedhore: S’kemi vija të kuqe

Prishtinë | 24 Dhj 2020 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në muajt e parë të 2021-ës. Kjo pas rënies së Qeverisë “Hoti”, me aktgjykimin e Kushtetueses për votën e deputeti Etem Arifi e që ishte vendimtare për formimin e kësaj Qeverie. Nga PDK’ja po thonë se janë të përgatitur për këto zgjedhje, teksa paralajmërojnë edhe prurje të reja në parti. Në ndërkohë nga ky subjekt politik thonë që janë në bisedime për koalicion parazgjedhor dhe se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti.

Aktgjykimi i Kushtetueses për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare në formimin e Qeverisë “Hoti”, trazoi skenën politike në vend. Përderisa ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, konsultoi partitë politike për datën e mundshme se kur vendi mund t`i mbaj zgjedhjet e parakohshme, subjektet politike tashmë veçse kanë prezantuar emrat e kandidatëve të tyre për kryeministër

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza një intervistë për Gazetën Express, ka thënë se ky subjekt politik është e përgatitur për zgjedhjet e reja.

Hamza fjalë të mira pati edhe për ushtruesin e detyrës së kryetarit të partisë, Enver Hoxhaj, i cili dje u zyrtarizua si kandidat i kësaj partie për kryeministër.

“Pritjet e PDK’së nga fushata janë që jemi të përgatitur. Kandidati i PDK’së i ka të gjitha atributet që mund t’i ketë një kandidat për kryeministër. E ka edhe nivelin akademik, edhe përvojën politike, përvojën institucionale dhe është ushtrues detyre i PDK’së dhe kjo parti ka qenë dhe vazhdon që të jetë rregull që kryetari i partisë është kandidat për kryeministër”, ka thënë ai.

Në PDK tashmë veçse ka filluar edhe përgatitja e listës zgjedhore përfshirë këtu edhe prurjet e reja. Këtë e konfirmoi Hamza

“Ka një etik të mirë të njerëzve. Jemi duke punuar edhe për prurjen e fytyrave të reja në listën e partisë dhe kemi një program të qartë konkret dhe të matshëm. Presim rezultat të mirë në zgjedhje. Ende nuk e kemi bërë listën dhe po presim këto ditë që të dalim me gjëra konkrete”, ka deklaruar ai.

Për sa i përket koalicione parazgjedhore, ai theksoi se në mes të partive politike ka bisedime. Për sa i përket koalicionit paszgjedhor, Hamza theksoi se e tëra do të varet nga rezultati i zgjedhjeve.

“Do të presim rezultatin e zgjedhjeve. Varësisht nga rezultati i zgjedhjeve do të shohim se si do të veprojmë me koalicionet paszgjedhore, ndërsa koalicione parazgjedhore ende nuk e kemi finalizuar por normal që në mes të partive politike ka edhe biseda”, ka thënë Hamza

Nga PDK’ja po pohojnë se aktualisht kjo parti nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike në vend.

“PDK’ja është mirë që nuk ka pasur as në të kaluarën vija të kuqe. Ata që i kanë pasur vijat e kuqe, pastaj nuk i`u kanë qëndruar këto vija”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e kaluara Partia Demokratike e Kosovës, kandidat për kryeministër e pati Kadri Veselin, i cili aktualisht është duke qëndruar në Dhomat e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Që nga shkuarja e tij në këtë institucion të drejtësisë nën akuzat për krime lufte e krime kundër jerëzimit, PDK’ja ka mbetur pa kryetar partie.

Enver Hoxhaj u emërua ushtrues detyrë i kryetarit të PDK’së në vend të Veselit, për tu kaniduar kështu edhe për kryeministër të vendit, në zgjedhjet që do të mbahen në fillimvitin e ardhshëm.

Aktualisht Kosova pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është duke u qeverisur nga Avdullah Hoti si kryeministër në detyrë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme