Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, po vazhdon takimet në Shtetet e Bashkuara.
Ai ka treguar se ditën e sotme e ka përfunduar me një takim në “Heritage Foundation”, që është organizatë me ndikim dhe e afërt me Partinë Republikane.
“Pata nderin të takoj z. James Carafano, një nga udhëheqësit kryesorë për politikë të jashtme dhe siguri në këtë fondacion dhe Max Primorac, ekspert i lartë në Qendrën “Margaret Thatcher”. Me z. Carafano, që është zë i respektuar republikan dhe personalitet i njohur publik, diskutuam për situatën në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral”, ka shkeuar Hamza, në Facebook.
“Kosova ka qenë e bekuar me përkrahjen bipartizane, qoftë nga administrata e demokratëve, ashtu edhe ajo e republikanëve. Shteti ynë duhet ta ruajë këtë vlerë dhe të përmbahet nga animet eventuale në politikën dhe preferencat zgjedhore të qytetarëve amerikanë”.
“Kosova ka miq dhe i duhen miq në tërë peizazhin politik amerikan, prandaj edhe takimet e mia kanë në fokus ndërtimin e lidhjeve të fuqishme, si me demokratët dhe administratën Biden, ashtu edhe me republikanët dhe zyrtarët e administratës së ish Presidentit Trump”.
Hsmza ka theksuar se polarizimi në Kosovë nuk duhet të eksportohet. “Na nevojitet puna e përbashkët. Ky ishte edhe premtimi im ndaj zyrtarëve në Heritage Foundation, Atlantic Council dhe ekspertëve të tjerë që takova këto ditë”.