Hapet edicioni i shtatë i ICT Awards, me panelin e përbërë nga fëmijë

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

U hap edicioni i 7-të i garës së mendjeve të ndritura në fushën e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit.

Sfidës së ICT Awards mund ti bashkohet çdo shqiptar pavarësisht se ku jeton apo punon. Si çdo vit, edhe këtë vit u prezantuan kategoritë e këtij edicioni që janë: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, çmimi Gruaja ne ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit si dhe çmimi për Siguri Kibernetike, çmimi ky i cili Shpërblen profesionistët e IT-së, ekspertët e kësaj fushe, të cilët kanë arritur të japin kontribut në rritjen e nivelit të sigurisë së informacioneve ose bëjnë mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

Hapja e këtij edicioni kishte rezervuar surprizën siç ishte ai i një paneli me fëmijë nga 9 deri në 14 vjeç përbërë nga të gjitha shkollat dixhitale në Tiranë, si nga Instituti Harry Fultz, ICTSlab, Bonevet Tirana, Jcoders Tirana, Albanian ICT Academy dhe Smart Gigs ICT Academy me nxënësit: Megi Belba, Erik Haxhia, Iria Ushina, Endri Marsela, Sara Petollari dhe Klejdi Galushi.

Duke folur për pasionin rreth elektronikës, Megi Belba nga Harry Fultz tha se angazhimi i saj është e ardhmja jo vetëm për të por për të gjithë fëmijët e shekullit 21. Erik Haxhia tha se dëshironte të bëhej biznesmen si babai i tij ndërsa afeksioni i tij për teknologjinë mund ta ndryshojë jetën e tij. Ai ka ndërtuar një robot që e komandon me anë të një aplikacioni.

Iria Ushina është vetëm 9 vjeç dhe vjen nga ICTSlab ku ka mësuar shumë gjëra në robotikë. Jashtë kursit ajo vazhdonte të eksperimentonte me programe dhe uebsajte. Ajo ka zhvilluar lulediellin një robot që shkon pas dritës dritës. Duke përdorur sensorë që identifikojnë dritën, roboti rrotullohet nga burimi i dritës.

Sara Petollari nga Bonevet kishte ndërtuar një krah robotik. Ajo tha se dëshiron që të mos ndalojë kurrë se studiuari robotikën.

Klejdi Galushi nga Jcoders ka krijuar një lojë të thjeshtë. Loja funksionon në këtë mënyrë: lojtari u jep tortë fëmijëve duke i lumturuar. Kjo është mënyra e vetme për të kaluar nivelin.

Në fjalën e saj të rastit, përfaqësuesja e një prej sponsorëve tradicional të ICT Awards që nga edicioni i parë Raiffeisen Bank, Viola Smaja tha se “kompania jonë ka parë ndër vite talentin që ky aktivitet ka tërhequr dhe promovuar. Ne do të vazhdojmë të përkrahim aktivitete që na mbushin me optimizëm.”

“Është një emocion i veçantë në këtë edicion të 7 drejt Evropës, sepse kështu dua ta quaj këtë aktivitet,” tha nën kryetari i Bashkisë së Tiranë Andi Seferi. Ai afirmoi më tej përkushtimin e Bashkisë së Tiranës për të vënë në funksion Piramidën e Tiranës si qendra teknologjike më e madhe në rajon.

Duke folur plot emocion sesi Tirana është shndërruar në qendër graviteti për mbarë shqiptarët, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë Sylë Ukshini tha se “ky event është shembulli më i mirë sesi Tirana po shndërrohet në qendër graviteti për shqiptarët. Është një abetare e cila të mëson të flasësh në shekullin e 21.”

ICT Awards është dëshmuar si një institucion që përgjegjësinë e suksesit ia lë pasqyrimit real zhvillimor, emancipimit të shoqërisë, nivelit të vetëdijesimit të organizatave dhe kompanive serioze në hapësirat shqiptare dhe më gjerë, të rinjve dhe përgatitjes së tyre për shekullin 21, fëmijëve dhe medias.

Edicioni i 7-të i ICT Awards është fryt i një pune disavjeçare të shtëpisë botuese ICTSmedia e cila si pjesë të misionit të saj pak muaj më parë inauguroi qendrën më të re të inovacionit në Tiranë, laboratorin multifunksional ICTSlab.

Ky laborator ka për qëllim të përgatisë fëmijët tanë për sfidat që i presin në shekullin 21 si dhe ti inkurajojë ato të përqafojnë teknologjinë, komunikimit, inovacionin, përmes plan-programeve në Scratch, robotikë, Arduino Labs si dhe ti familjarizojë me teknologjitë më bashkëkohore.

Që nga themelimi ICT Awards ka vlerësuar mbi 1,000 projekte në fusha dhe kategori të ndryshme ndërsa 150 prej tyre janë vlerësuar në detaje si dhe janë shpërblyer me çmime për kategoritë te caktuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme