Hapet Panairi i Librit, kryeministri premton lehtësira në taksa

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 18:34 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në hapjen e  Panairit të  20-të të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, rikujtoi kohën që nga fillimi i organizimit të panaireve.

“Ne shoqata e botuesve jemi krenarë që arritëm të organizojmë 20 edicione të panairit të librit. Kjo është ngjarja më e madhe e organizuar në Kosovë”, u shpreh ai derisa kujtoi organizimin e panaireve të para në Kosovë.

Ndër të tjera, ai porositi që të mbrohet pastërtia e gjuhës shqipe, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës është  e vendosur që ta përkrahë librin.

“Ky panair është jubilar dhe si i tillë meriton porosi të çmuar nga qeveria e vendit. Jemi të vendosur që të përkrahim botimin dhe shpërndarjen e librit dhe të bëjmë lehtësira në taksa. Porosia ime për ata që shkruajnë është “shkruani se dilni në dritë”. Nëse besoni se del në kohën kur shkruani, atëherë jeni për ngut, shkruani se vjen koha”.

“Si brez i lirisë ne kemi lexu dhe jemi frymëzuar nga njerëz të mëdhenj që qëllim kanë pasur lirinë. Njeriu që lexon është vetvetja, është sovran sepse merr vendime dhe si i tillë lexuesi është fitues çdo herë”, tha ai, duke porositur që njerëzit ta mbajnë lidhjen me librin gjithmonë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, tha se ky panair ka një veçori të madhe këtë vit, raporton EO.

“Panairi i librit në Kosovë ka një veçori të jashtëzakonshme, sepse gjenezën e ka në ditët e luftës për liri. Libri nuk ka kufij, por ka vetëm lexues dhe ky panair po zgjerohet dita-ditës”, përfundoi ai.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se është e vështirë për shkrimtarët dhe botuesit që të gjejnë financim për veprat e tyre, ndërkaq u shpreh i gatshëm të ofrojë ndihmën e Komunës së Prishtinës.

Panairi jubilar, i 20-të, do të mbahet nga 5-10 qershor 2018 në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga 9.00-20.00.

Në panair pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj do të jetë rreth 1400-1500, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5000.

Panairin pritet ta vizitojnë studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar, dhe në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare:

– 550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – VITIT TË SKËNDERBEUT
– 300-vjetori i lindjes së Teodor Kavaliotit
– 200-vjetori i lindjes së Zef Jubanit
– 100-vjetori i lindjes së Tajar Hatipit
– 100-vjetori i lindjes së Vorea Ujkos
– 100-vjetori i lindjes së Spiro Çomorës
– 100-vjetori i lindjes së Pashko Gjeçit

dhe botërore:

– 200-vjetori i lindjes së Turgenjevit
– 100-vjetori i lindjes së Moris Dryonit
– 100-vjetori i lindjes së Solzhenicinit

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.

 

Të ngjashme