Në Ferizaj hapet qendra tregtare pa produkte serbe

Ferizaj | 14 Dhj 2016 | 15:53 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), përmbylli aktivitetin një mujor “Javët e Biznesit Kosovar” me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po Ju?” me hapjen e qendrës, sikur u cilësua, më e madhja në vend pa produkte serbe. Në “Plus Center” në Ferizaj do të mbajë mbi 20 mijë artikuj, të gjitha prodhime vendëse.

Në hapje merrnin pjesë dhe ministrat Hykmete Bajrami e Blerand Stavileci.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se hapja e kësaj qendre është një ditë e veçantë. “Që nga hapja, kjo qendër i ka bojkotuar produktet serbe dhe në anën tjetër fuqimisht prioritet kishte dhe ka prodhuesit e Kosovës, ku vetëm në këtë mënyrë mund të zhvillohet shteti, rritet mirëqenia, rritet prodhimi dhe ulet papunësia dhe importi enorm”, tha Shahini

Kryetari i AKB-së shtoi se qytetarët janë konsumatorë besnikë të prodhimeve vendëse, të cilat janë të cilësisë së lartë, në krahasim me ato të importuarat.

“Kjo është forma më e mirë që biznesi bashkërisht me konsumatorët të jenë fanatikë në prodhim e konsum dhe të jepet gjithçka për t’i kontribuar rritjes së bruto produktet vendor të shtetit, duke ditur se dy faktorët determinues të cilët ndikojnë në ngritjen e BPV-së, janë prodhimi dhe konsumi”, tha Shahini.

Kreu i AKB-së kërkoi nga institucionet lehtësira më të mëdha për prodhuesit vendës.

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë e Industrisë, tha se është një ditë e veçantë që “Plus Center” i ka prioritet shitjen vetëm të prodhimeve vendore dhe kjo rëndësi të madhe si për rritjen e prodhimtarisë vendore, por edhe aspekteve tjera socio-ekonomike.

“Ne si Qeveri e Kosovës për dy vjet kemi bërë përpjekje adekuate për krijimin e një mjedisi më të favorshëm dhe do të përpiqemi që të heqim të gjitha barrierat për prodhuesit e vendit”, tha ministrja.

Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, tha se gjithçka çka flitet është e tepërt, karshi veprimeve që ka bërë kompania për prodhimtarinë vendore.

“Duke konsumuar prodhimet vendore, kemi edhe rritje të zhvillimit ekonomik nga të cilët përfitues jemi të gjithë”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Faik Grainca, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, çmoi lart kompaninë dhe misionin e saj, që sipas tij, i jep shpirt komunës së Ferizajt.

Kemajl Zariqi, drejtor i kompanisë “Plus”, tregoi se e kanë nisur punën në maj të vitit 2000 në një hapësirë prej 300 metrash deri në vitin 2007, kur kanë kaluar në fabrikën e veglave të cilën e privatizuan më 2006. “Kompania me rreth 200 punonjës ka vazhduar me projekte zhvillimore duke u shndërruar në qendër tregtare prej 5000 metrash dhe të cilën Agjencia e Privatizimit, e ka vlerësuar si storje të suksesit”, u shpreh ai.

“Prioritet i kompanisë ka qenë dhe do të jetë përkrahja e prodhuesve vendës dhe konsumimi i prodhimeve të tyre… Me prezencën 16-vjeçare në tregun e Kosovës, kompania ‘Plus’ është e njohur për bojkotimin e produkteve serbe”, tha Zariqi.

Sipas tij, kontributin më të madh për zhvillimin e zgjerimin e kompanisë e kanë konsumatorët besnikë.

Ai kërkoi nga institucionet që të krijojnë një mjedis sa më të favorshëm për zhvillimin e ekonomisë, duke përkrahur dhe mbrojtur interesat e prodhuesve vendës dhe bizneseve vendëse. “Si qytetarë të Kosovës kemi detyrë  e përgjegjësi që të ndërtojmë e zhvillojmë ekonominë e vendit. Të gjithë prodhuesit e vendit në një formë janë heronj të gjallë, ndërsa qytetarët duhet të ndjehen të përgjegjshëm për t’i konsumuar këto produkte”.

“Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme me një standard dhe mirëqenie më të lartë për të jetuar si qytetar të dinjitetshëm”, tha Zariqi.

Të ngjashme