Haradinaj: Do të kompensohen edhe shtëpitë e ndërtuara pas vitit 2015 në Shipitullë e Hade

Obiliq | 22 Jan 2018 | 15:48 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka sqaruar se do të kompensohen të gjitha shtëpitë e ndërtuara edhe pas vitit 2015 në Shpitullë dhe Hade, raporton Ekonomia Online.

“Të gjitha shtëpitë do të kompensohen, edhe në Hade edhe në Shipitullë, edhe ato të cilat janë të ndërtuara pas vitit 2015”, tha Haradinaj.

Në kuadër të zgjerimit të mihjes së re, në zonën ku janë bërë shpronësimet në fshatrat Hade e Shipitullë, me 18 janar ka filluar rrënimi i objekteve të para të cilat janë në afërsi të vendpunimeve.

Rrënimi i këtyre objekteve, siç ka njoftuar KEK-u, është duke u bërë në kuadër të implementimit të masave të sigurisë.

Mediet kanë shkruar sot se 140 ndërtime janë realizuar pas korrikut 2015 në Hade e Shipitullë, kohë kjo kur ishte marrë si “prerje” nga KEK-u, i cili kishte thënë se nuk do të kompensonte ndërtimet në kundërshtim me ligjin pas kësaj date. Nga 4.5 milionë euro sa ishte vlerësimi i parë (për 99 objekte të ligjshme), shpronësimet në Hade dhe Shipitullë tani do të kushtojnë 25 milionë euro.

Kryeministri Haradinaj, gjatë vizitës në KEK, ka takuar drejtorin menaxhues, Arben Gjukaj dhe menaxhmentin e kësaj korporate, me të cilët bisedoi rreth situatës së fundit të furnizimit me energji elektrike dhe procesin e shpronësimeve në fshatrat Hade dhe Shipitullë.

Haradinaj: Furnizimi me energji elektrike, sfidë e fituar

Kryeministri Haradinaj i cili shoqërohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se sot nga prodhimi plotësohen rreth 86 për qind të nevojave të energjisë në vend. “Gjendja konsiderohet e qëndrueshme dhe për këtë shpreh falënderim për të gjithë punëtorët në KEK, duke filluar nga drejtori, për një angazhim maksimal që të kemi një gjendje të qëndrueshme”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Edhe pse në raste të caktuara ka ndërprerje të furnizimit me energji, kryeministri Haradinaj theksoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me operatorin KEDS për tejkalimin e kësaj situate. “Në disa raste shpjegimet janë se ka prishje teknike, por edhe arsye tjera, por do ta përcjellim gjendjen në vazhdimësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka thënë se gjendja me furnizim do të përballohet gjatë dimrit, me mundësi të përmirësimit gjatë muajit shkurt, duke mos ndikuar edhe në rritjen e çmimit për qytetarët në këtë kohë të vështirë.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, falënderoi kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme për tejkalimin e sfidave me të cilat është përballur KEK-u që nga paslufta.

Ai tha se aktualisht, KEK përmbush 87% të nevojave të konsumit vendor.

“Kemi stabilizuar heqjen e djerrinës dhe rezervave me qymyr; kemi siguruar një stabilitet sa i përket operimeve konform standardeve dhe licencës qe e kemi për miniera”, tha ai.

Të ngjashme