Me diskurs të ndryshëm rreth taksës ndaj importeve të Serbisë kanë folur të premten dy aleatët më të mëdhenj politikë që në mandatin e shkuar ishin në opozitë e tash janë pjesë e koalicionit qeverisës – kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
I pari ka përsëritur se taksa hiqet vetëm kur fqinji verior ia njeh shtetësinë Kosovës, e i dyti ka theksuar se kjo do të bëhet gjatë rrugës për njohje.
Për të revokuar vendimin që vë taksë 100 për qind për prodhimet që kanë origjinë Serbinë, është shtuar këtë javë presioni ndërkombëtar, e veçmas i Shteteve të Bashkuara, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ambasadori Philip Kosnett ka paralajmëruar dëmtim raportesh ndërshtetërore në rast se autoritetet në Prishtinë shpërfillin kërkesën.
Ai ka shtruar nevojën për veprim të shpejtë, pasi ka theksuar se ka një momentum në dialog për të cilin ShBA-ja beson se mund ta sjellë marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.
E, autoritetet serbe refuzojnë të marrin pjesë në dialog, për aq kohë sa taksa është në fuqi.
Haradinaj përballet me kërkesën edhe të Partisë Demokratike, partner kryesor në qeverisje, për të vepruar konform kërkesës së ShBA-së.
Madje Kadri Veseli, kryetar i kësaj partie, ka paralajmëruar se do të dalë nga Qeveria në rast se raportet me Washingtonin lëndohen.
Por Haradinaj nuk është zmbrapsur nga qëndrimi, pavarësisht kërcënimit.