Haradinaj: Kurti shkoi në SHBA e apeloi për ardhjen e taksive, sikur s’ka probleme tjera Kosova

Prishtinë | 12 Maj 2022 | 22:52 | Nga Ekonomia Online

Daut Haradinaj nga radhët e AAK-së, ka folur për partneritetin e Kosovës me ShBA-në pas vizitës së kryeministrit Kurti dhe ish-kryeministrit Haradinaj në ShBA.

Në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës, Haradinaj tha se është e pamundur të shkëpusësh kontratën gazit amerikan dhe njëkohësisht të jesh aleat i Amerikës.

 “S’mundemi me qenë aleat e partner me ShBA-të e në të njëjtën kohë të shkëpusim kontratën gazit Amerikan”.

 “Amerika është aksionare në lirinë e Kosovës, pavarësimin dhe Ushtrinë e saj, kjo nuk ndryshon”, tha Haradinaj.

Ndërsa për vizitën e kryeministrit në ShBA, Haradinaj deklaroi se Kurti apeloi për ardhjen e taksive, sikur Kosova të mos kishte probleme tjera.

“Kryeministri Kurti gjatë vizitës në ShBA, apeloj për ardhjen e taksive, thuajse Kosova nuk ka probleme tjera”, u shpreh ai.

Haradinaj ka shtuar se infrastruktura është parakusht për zhvillimin ekonomik, dhe se kjo qeveri sipas tij e ka lënë krejt anash këtë temë.

“Shihni rrugën Dollc – Gjakovë që e lidh me zonen e lirë ekonomike amerikane në çfarë gjendje e ka lënë kjo qeveri”.

“Infrastruktura është parakusht për investime, shembull e kini kompaninë Komodita në Gjakovë që sot i ka të punësuar mbi 4 mijë punëtor”, është shprehur Haradinaj.

Të ngjashme