Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Kongresin e Parë të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, me ç’rast ka thënë se Qeveria po lufton për dinjitetin e pacientit.
Ai e ka vlerësuar këtë kongres duke thënë se kjo është një mundësi e mirë për shkëmbim të përvojave ndërmjet profesionistëve dhe për avancimin e fizioterapeutëve të Kosovës.
“Në Kongresin e Parë të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, me karakter ndërkombëtar, theksova se kjo është një mundësi e mirë për shkëmbim të përvojave ndërmjet profesionistëve dhe për avancimin e kësaj disipline mjekësore. Qeveria e vendit po lufton për dinjitetin e pacientit, dhe në këtë drejtim është e angazhuar për shëndetësi cilësore, duke rritur performancën e personelit dhe avancimin e teknologjisë. Pos Ligjit të Pagave, nga i cili përfitojnë rritje mjekët dhe personeli mbështetës, jemi të fokusuar në transformimin rrënjësor të shëndetësisë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij të Facebook-ut.