Kreu i Aleancës dhe kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një tubim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec.
Me këtë rast, kreu i Qeverisë ka konfirmuar se nga java e ardhshme do të nisin pagesat e pensioneve për veteranët dhe kategoritë e tjera të dala nga lufta, sikur iu takon sipas ligjit.
“Veç 50 euro i keni marr ju në gusht për Bajram. Unë e kam thirrë Ministrinë e Financave, iu kam thanë ku është problemi. Më thanë: ‘Ii kemi do situata, do probleme’. Ju kam thanë rregullojeni… Çdo gjë që parashihet me u ba për këtë vit do të bëhet. Nuk mundesh me ju thanë veteranëve kemi me i ba do hetime; këto janë rrena se dojnë me i ndalë për vete do pare”.
“Javën që vjen fillon pagesa e pensioneve”, ka thënë Haradinaj, para ish-bashkëluftëtarëve, në tubimin ku merrte pjesë dhe kandidati për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi.
Ndërsa, me miratimin e buxhetit të vitit 2018, Haradinaj ka premtuar se nuk do të ketë më probleme as vonesa.
Përveç kësaj, Haradinaj ka premtuar ndërtimin e shtëpive për këto kategori .
E kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, premtoi për veteranët zyrë të veçantë në Komunë, ku ata do ta kenë më të lehtë t’i shtrojnë kërkesat e tyre. “Gjithashtu, kryetari i Shoqatës, Vajdim Berisha, do të jetë pjesë e kabinetit tim, që të ndiheni të përkrahur në mandatin tonë katërvjeçar”.
“Betohem se hallet dhe shqetësimet tuaja do të jenë edhe të miat. Ne jemi pjesë e të njëjtës sakrificë, jemi pjesë e historisë më të re të Kosovës… Shëndeti dhe mirëqenia e invalidëve dhe veteranëve do të jetë pjesë e përditshmërisë tonë”, tha Latifi, teksa u zotua se kjo kategori me të si kryetar do ketë pozicion më të përshtatshëm në shoqëri, mundësi më të mira financiare dhe përfshirje në vendimmarrje.