Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Rahovecit, Dmajl latifi, kanë takuar sonte banorët e Krushës së Madhe.
Kreu i Qeverisë tha se të gjithë e dinë kontributin e Krushës dhe çmimin që ka paguar ky fshat për lirinë e Kosovës.
“E dimë edhe sa të zotë e punëtorë janë, por edhe sa kërkesa kanë”, u shpreh Haradinaj, në tubimin e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës.
“Qeveria e Kosovës, nëse don me ba diçka për nderën e vet, për fytyrën e vet, mos me i nem Zoti, duhet me ba në Krushë”, u shpreh ai.
Kryeministri Haradinaj, mes tjerash, premtoi se do të përkrahen projekte për bujqësi në Krushë dhe komunën e Rahovecit.
Kurse, Smajl Latifi, kandidat për ta drejtuar Komunën e Rahovecit, premtoi ndihmë për gratë e Krushës së Madhe, arsim dhe infrastrukturë më të mirë.
“Kontributi krushian na tregon se si mbrohet shteti, vendi ku jetojmë, shteti ku jetojmë. Ju na keni mësuar së asgjë në këtë botë nuk është më e shtrenjtë se liria dhe atdheu” .
Por, në vitet e fundit, sipas Latifit, Krushës dhe Eahovecit i ka munguar qeverisja. “Krusha e Ukshin Hotit meriton që kjo shtëpi e kulturës të kthehet në një shtëpi ku mbahen aktivitet kulturore dhe shkencore. Në Krushë do ndërtojmë çerdhe për fëmijë, nuk do të ketë probleme më me kanalizim, projektet infrastrukturore do përfundojnë në fazën e parë të mandatit”, shtoi ai.
Në fund, Latifi premtoi se do të bëhet restaurimi dhe futja në mbrojtje i shtëpisë memoriale ku janë djegur 64 qytetarë të Krushës së Madhe.