Haradinaj: Rangimi në vendin e 40-të, lajm i mirë për Kosovën

Prishtinë | 31 Tet 2017 | 17:31 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur Raportin e “Të Bërit Biznes 2018”, të publikuar sot nga Grupi i Bankës Botërore. Këtë vit, Kosova radhitet në pozitën e 40-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të ku ka qenë vitin e kaluar.

Haradinaj, në një konferencë shtypi së bashku me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore në Kosovë, tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

“Kosova është ngritur në listën e raportit të Bankës Botërore. Kjo është punë e mirë e ‘Taskforcës për të Bërit Biznes’; por një rezultat të tillë e kemi marrë dhe falë ndihmës së Bankës Botërore dhe njëkohësisht përkrahjen nga USAID-i”, tha kreu i Qeverisë.

Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, të krijojë një mjedis të përshtatshëm për të bërit biznes në Kosovë.

Kosova është në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes, thuhet raportin e Bankës Botërore të publikuar sot.

Kosova radhitet e 10-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122-ta në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), tha se ministria që ai drejton është koordinator i reformave, duke u bazuar në raportet dhe rekomandimet e Bankës Botërore.

“Deri më tani kemi qenë në vendin e 61-të e sot jemi në vendin e 40 në përgjithësi; kurse në hapjen e ‘Start Upeve’ jemi në vendin e 10-të. Vitin tjetër do të kemi rangim edhe më të mirë”, u shpreh optimist Hasani.

“Ne jemi bartës, bashkë me disa ministri të linjës dhe Zyrën e Kryeministrit dhe të vazhdojmë të jemi në koordinim të plotë, sepse Kosova ka nevojë të ketë edhe investime nga jashtë”, shtoi ministri.

Marco Mantovanelli, shef i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, tha se është i lumtur që Kosova ka avancuar në lehtësimin e të bërit biznes.

Ai tha se Kosova ka dalë ndër 10 vendet më reformuese sepse ka dalë në tri indikacione më se miri.

Mantonavelli shpjegoi se Raporti i Të Bërit Biznes konstaton se gjatë periudhës mbi 12-mujore deri në qershor të vitit 2017, Kosova ka bërë disa përmirësime: është lehtësuar krijimi i një biznesi përmes thjeshtësimit të procesit të regjistrimit të punëtorëve; është forcuar qasja në kredi përmes miratimit të një ligji të ri i cili përcakton rregulla të qarta prioritare në kuadër të falimentimit për kreditorët e siguruar dhe thjeshtësim të procedurave për riposedim të kapitalit të kreditorëve në rastin kur kompania bankroton; është lehtësuar zgjidhja e rasteve të paaftësisë së pagesës përmes aplikimit të kornizës ligjore për paaftësinë e pagesës së korporatave, duke i vënë në dispozicion procedurat e likuidimit dhe ri-organizimin për debitorët dhe kreditorët.

“Është një punë e mirë që është bërë”, ka thënë ai, teksa ka shprehur gatishmërinë e Bankës Botërore për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Kosovën.

James Hope, shef i Zyrës së USAID-it në Kosovë, po ashtu përshëndeti përparimin e Kosovës. “Lëvizja për 20 vende është lëvizja më e madhe në pesë vitet e fundit”, u shpreh Hope.

Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të punojë, së bashku me partnerët dhe sektorin privat, për një ambient sa më të mirë për të bërit biznes.

“Çdo ditë që takohem me biznese të reja e shoh që ata duan të shohin një ambient që mundëson që biznesi i tyre të dalë në tregje të reja. Kjo është edhe qëllimi i Qeverisë që dëshiron të bëjë një mjedis sa më të mirë për qytetarët e vendit, por edhe një qeverisje më të përgjegjshme. Mbetet ende mjaft punë për t’u bërë”, u shpreh Hope.

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, njëherësh udhëheqës i Task Forcës për të Bërit Biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmend Mejzini, numëroi disa nga indikatorët që kanë ndikuar në rangimin më të mirë të Kosovës dhe në krijimin e ambientit më të favorshëm për të bërit biznes, e që janë: fillimi i biznesit; marrja e kredive dhe mbyllja e biznesit.

Të ngjashme