Haradinaj: Të rinjtë do të jenë prioritet, janë pasuria e vendit

Prishtinë | 09 Nën 2018 | 10:56 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në promovimin e Programit Nacional për Rininë.

I pari i Qeverisë ka thënë pasuria më e madhe që ka vendi ynë është rinia.

Ai ka thënë se kanë investuar në këtë fushë duke e rritë buxhetin 12 për qind  për arsim.

“Qeveria që udhëheq,  i ka marr seriozisht përgjegjësitë e veta, andaj pasurisë më të madhe që ka vendi ynë e që është rinia , e kemi rrit për 12 për qind buxhetin për arsim. Lansimi i programit nacional po e formëson atë se si do t ndodhin disa programe garuese. U bëjë thirrje të gjithë akterëve, si mundësi me krijuar perspektive të re për talentet e tyre. I gëzohemi kësaj pune vërtet te mirë”, ka thënë Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se rinia e Kosovës janë të zotë, po aq sa janë edhe rinia e vendeve të tjera. Ai edhe këtu përmendi lëvizjen e lirë. Tha se është e rëndësishme që shtetet e BE-së ta vendosin në agjendë lëvizjen e lirë.

“Ju siguroj se nuk jemi më pak të zotë se rinia e vendeve tjera ose nuk jemi më pak të dobishëm. Është tepër me rëndësi që udhëheqësit e shteteve të Bashkimit Evropian ta vendosin në agjendë të vendimmarrjes  lëvizën e lirë”, ka thënë Haradinaj.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka prezantuar Programin Nacional për Rininë dhe Programin Ndërshtetëror.

“Projekti nacional për rininë mbështetet mbi dy parime bazë: gjithëpërfshirës dhe vijueshmërinë. Është hera e parë që qeveria e Kosovës ka ofruar një program i cili u jep shansin te gjithë nxënësve për shkathtësinë e njohjes, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik. Nxënësit për herë të parë do ta kenë hapësirën e vet për ta marrë nxënien në mënyrë normale dhe për ta pasur mundësinë e një gare”, ka thënë Hoti, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se gara i ka tri nivele.

“Gara ka 3 nivele: shkollor,  komunal dhe republikan. Pas nivelit republikan, nxënësit e Kosovës do të kenë mundësinë të garojnë me shtetet për të cilat do të dakordohemi”, ka thënë ai.

“Koalicioni që ka bërë të mundshëm këtë projekt, është projekti i parë që koncepton fuqishëm, jo për nga ana financiare, por është projekti i parë i cili republika e Kosovës do tia kthejë gjallërinë në rrugë në , në sheshe. Presim të ndalet edhe largimi i nxënësve nga Kosova”.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti  e konfirmoi mbështetjen e kësaj ministrie për Programin Nacional.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ofruar dhe ofron mbështetjen e plotë pasi që gara e ka teren arsimin që nga niveli fillor deri në atë arsimin e lartë dhe për këtë program ka konfirmuar edhe përmes nënshkrimit të memorandum bashkëpunimit me koordinatorin nacional”.

Leonora Morina-Bunjaku , zv. ministre për Kulturë, ka thënë se programi nacional për rininë është një hap i mbarë për të rinjtë e Kosovës.

“Gjithëpërfshirja është shumë më rëndësi. Ky program do të promovojë diversitetin. Përpos në cilësinë, nxënësit  kanë mungesë të aktiviteteve jashtë kurrikulare. MKRS ka bashkëpunuar me koordinatorin  gjatë takimeve në grupe punuese. Programi nacional është i pari dhe meriton përkrahje sepse është nismë e mbarë dhe do të ketë sukses”, ka thënë Morina-Bunjaku.

Nënkryetari i Asociacionit të Komunavë të Kosovës, Xhafer Gashi, u zotua që do t’i mbajë lidhjet e ngushta me të gjitha ministritë e përfshira në zhvillimin e këtij programi.

“Programi Nacional për Rini dhe Programi Ndërshtetëror do të krijojë mundësi më të mëdha për talentët, për të rinjtë tanë. Ne zotohemi si asociacion i komunave që vazhdimisht të mbajmë lidhje të ngushta me ministritë dhe ministrat që janë të implikuar në këto procese, dhe do t’i mbështesim me ato mundësi që i kemi”.

Të ngjashme