Haradinaj vlerëson familjen Gjocaj: Brez pas brezi mbeti shqiptare dhe patriote

Prishtinë | 19 Kor 2026 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar kontributin e familjes Gjocaj në historinë kombëtare dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar sakrificën e saj për lirinë e vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj tha se shqiptarët kanë mbijetuar falë familjeve që i kanë qëndruar besnike kombit ndër breza.

“Shqiptarët mbijetuan falë familjeve që i qëndruan besnike kombit në të gjitha kohërat. Një ndër to është edhe familja Gjocaj, e cila brez pas brezi mbeti shqiptare dhe patriote, gjithmonë besnike ndaj atdheut”, ka shkruar Haradinaj.

Ai kujtoi angazhimin e familjes Gjocaj gjatë luftës së UÇK-së, duke përmendur babanë Avdyl Gjocaj dhe djemtë e tij.

“Në luftën e lavdishme të UÇK-së, babai Avdyl Gjocaj, së bashku me djemtë e tij, Muhametin, Shpendin, Blerimin dhe Qerimin, iu përgjigjën thirrjes së atdheut”, theksoi ai.

Haradinaj veçoi sakrificën e Blerim dhe Qerim Gjocajt, të cilët mbetën të plagosur rëndë gjatë luftimeve.

“Blerimi dhe Qerimi u plagosën rëndë. Blerimi më 14 prill 1999 në Koshare, ndërsa Qerimi në betejën e Zharrës më 28 korrik 1998 atdheut ia fali gjymtyrët e trupit për të ardhur te liria”, shkroi Haradinaj.

Sipas tij, gjatë luftës edhe shtëpia e familjes Gjocaj shërbeu si pikë mbështetëse për luftëtarët e UÇK-së.

“Ndërsa shtëpia e familjes Gjocaj ishte kthyer në qendrën e qindra luftëtarëve nga e gjithë Kosova, që vinin e shkonin për armatim”, u shpreh ai.

Haradinaj u shprehu mirënjohje anëtarëve të familjes Gjocaj për kontributin e tyre.

“Familja Gjocaj, jetofshi përherë me nder e lavdi!”, shtoi Haradinaj.

Të ngjashme