Hasani: Kurti s’ka dobi nga rizgjedhja e Osmanit, ndërkombëtarët i kërkojnë autonominë serbe që e pranoi

Prishtinë | 08 Jan 2026 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se nuk beson se Albin Kurti “rrezikon zgjedhje të reja” për shkak të Vjosa Osmanit.

Ai ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë “ka arritur kufijtë e votës së lirë” dhe se sado që të rritet numri i votave për të në të ardhmen, “asnjëherë nuk mund t’i ofrojë atij dhe askujt komoditetin e vendosjes vetëm për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të Republikës”.

Për rezultatin e LV-së në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Hasani ka thënë në një intervistë për “Express” se vendimtarë ishin “shpenzimi i shumave enorme të parasë publike për të fituar zgjedhjet” dhe “mungesa e një rezistence aktive politike” nga ana e opozitës. Kështu, sipas tij, votimi është bërë jo i lirë dhe jo i drejtë.

Brukseli dhe Uashingtoni kanë vetëm një shqetësim për qeverisjen e Kurtit, ka thënë Hasani. Ai ka thënë se kjo ka të bëjë me “zbatimin e Aneksit të Ohrit, përkatësisht me vënien në jetë të autonomisë serbe, e cila është pranuar nga zoti Kurti në Ohër më 2023. Asgjë tjetër!”.

Ai ka thënë se forcimi i “autonomisë serbe” shihet si “e vetmja zgjidhje për mbrojtjen e komunitetit serb kosovar nga pushteti qendror” dhe se veprimet e qeverisë së Kurtit e kanë përforcuar urgjencën e implementimit të Aneksit të Ohrit për ndërkombëtarët.

Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar rastin nëse Lista Serbe, si partia që ka fituar sërish shumicën e votave të serbëve, duhet të përfaqësohet në Kuvend me një nënkryetar, apo nëse në këtë pozitë mund të zgjidhet edhe Nenad Rashiq. Për Hasanin, është e qartë se sipas Kushtetutës, nënkryetari duhet të jetë “nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e garantuara të komunitetit serb”.

“Zoti Rashiq përfaqëson komunitetin serb, por nuk është shumica e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Ai mund të jetë një njeri i mirë e patriot kosovar, i urtë dhe kështu me radhë, por ato cilësi vlejnë kur dikush kërkon dikënd për ta bërë dhëndër, jo përfaqësues të një komuniteti kosovar. Përfaqësimi caktohet me votë dhe bazuar në Kushtetutë e ligj”, ka thënë Hasani.

Të ngjashme