Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në muajt e parë të qeverisjes së tij ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës paraelektorale sa i përket zvogëlimit të numrit të drejtorive komunale, përfaqësimit të barabartë gjinor në Ekzekutiv si dhe zbatimit të transparencës radikale në qeverisje, thotë kumtesa e OJQ-së EC ma Ndryshe, transmeton Koha.net.
Sipas kumtesës, në fillim të mandatit të tij qeverisës Haskuka ka mbajtur numrin e njëjtë të drejtorive si në mandatin e kaluar të qeverisë Muja, pra 13 gjithsej. Në këtë mënyrë, Haskuka, përbërjen e Qeverisë lokale ia ka përshtatur nevojave të koalicionit qeverisës dhe jo programit të tij përkatësisht zotimeve të prezantuara gjatë fushatës paraelektorale.
Në të njëjtën kohë nga 13 drejtorët/eshat e emëruar nga Haskuka, vetëm 2 drejtori udhëhiqen nga gratë, ani pse në paraqitjet gjatë fushatës paraelektorale ai qe zotuar se gratë do të përbëjnë gjysmën e Ekzekutivit lokal. Për më tepër deri më sot nuk janë publikuar informata relevante rreth këtyre të emëruarve politik që do të ishin të mjaftueshme për publikun për të vlerësuar kredibilitetin e tyre.
Ec ma ndryshe ka vërejtje edhe për transparencën për të cilën thotë se në muajt e parë të qeverisjes së re të Prizrenit mbetet problematike edhe për faktin se vendimet e organeve komunale nuk janë publikuar deri më tani, ndërkohë që mbledhjet e kryetarit me drejtorët e tij janë mbajtur pa praninë e gazetarëve dhe monitoruesve të shoqërisë civile.
EC Ma Ndryshe e ka parasysh faktin se ende nuk janë bërë 100 ditë që prej betimit të kryetarit Haskuka, por përkujton lidershipin komunal se duhet angazhim prej ditës së parë të qeverisjes për realizimin e premtimeve elektorale. Prandaj kryetari Haskuka ka obligim moral që të realizojë premtimin e dhënë para votuesve për zvogëlimin e numrit të drejtorive në Ekzekutivin e Prizrenit. Ndërsa përfaqësimi i barabartë gjinor në Ekzekutiv dhe transparenca e organeve komunale përtej obligimit moral janë edhe obligime ligjore që duhet ai duhet ti zbatojë në afatin sa më të shkurtër kohor.