Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Kuvendin e Kosovës, në nderim të jetës dhe veprës së Flora Brovinës, raporton Ekonomia Online.
Flora Brovina ishte e burgosur politike, veterane e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Brovina u lind në vitin 1949 në Skenderaj dhe u rrit në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor dhe më pas studioi mjekësinë. Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, ajo u kthye në Kosovë.
Për një periudhë, Brovina punoi si gazetare në gazetën “Rilindja”, ndërsa më pas iu rikthye profesionit të mjekes. Për shumë vite ajo punoi në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Krahas profesionit të saj si mjeke, Brovina u angazhua edhe në letërsi dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave.Në skenën politike, ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, për gjashtë mandate, nga viti 2001 deri në vitin 2019.
Me veprimtarinë e saj në mjekësi, politikë, letërsi dhe çështje shoqërore, Flora Brovina mbetet një nga figurat e njohura të jetës publike në Kosovë.