Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka deklaruar se shëndetësia do të mbetet prioriteti i tij kryesor politik edhe në mandatin e ardhshëm, duke premtuar implementimin e sigurimeve shëndetësore në rast se kjo parti fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu tha se sektori i shëndetësisë ka qenë fokus i angazhimit të tij gjatë pesë mandateve si deputet dhe se do të vazhdojë të ngritë problemet që lidhen me këtë sektor.
“Sigurisht që të gjithë ne, deri në momentin që na atakon sëmundja dhe cenohet shëndeti jonë, mendojmë për gjëra të tjera. Mirëpo, shëndetësia është prioriteti ynë, edhe prioriteti im. Ka qenë prioriteti im edhe në pesë mandatet e mia si deputet, për të ngritur problematikat të cilat i ka sektori i shëndetësisë. Do të vazhdojë të jetë shëndetësia prioriteti im, dhe jam i bindur shumë që me Bedri Hamzën kryeministër dhe me Partinë Demokratike fituese, do të implementohen sigurimet shëndetësore. Ligji për sigurimet shëndetësore ka qenë i miratuar në vitin 2014, mirëpo nuk ka pasur menaxherë që i ka implementuar ato. Dhe jam i bindur shumë që me mua dhe me Partinë Demokratike, dhe Bedri Hamzën kryeministër, do të kemi implementimin e sigurimeve shëndetësore brenda dy viteve“, tha ai.
Ai foli edhe për prioritetet tjera, duke përmendur reformën pensionale dhe reformimin e Trustit Pensional.
“Qytetarët më njohin, e kanë parë punën time në Kuvend. Nuk po garoj për herë të parë, pra është një përvojë e imja, një angazhim i imi në Kuvend. Dhe, mund të them lirshëm që në këtë legjislaturën e fundit më shumë i kam munguar unë Kuvendit sesa që më ka munguar Kuvendi mua. Dhe do të vazhdoj të jem aktiv edhe në çështje të tjera. Unë besoj që është e domosdoshme reforma pensionale, e cila duhet të jetë konform kërkesave dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë”, tha ai.
“Duke qenë se kam qenë iniciator i ndryshimit të ligjit për Trustin, do të jetë një nga angazhimet e mia që Trusti të reformohet, që 30% e atyre mjeteve t’u rimbursohen qytetarëve, ndërsa mjetet e tjera të grumbullohen në fondin pensional, i cili do të jetë gjithëpërfshirës dhe jo diskriminues siç ka qenë deri më tani, mirëpo të rregullohet sipas kategorive dhe të ardhurave të tyre të cilat ata i kanë gjeneruar. Dhe në veçanti këtu do të ketë një kujdes të veçantë për pensionet e kategorive të luftës, për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ata të jenë kategori e veçantë, e respektuar në kuadër të reformës pensionale”, tha ai.
Haxhiu shtoi se do të vazhdojë të jetë aktiv në ngritjen e problemeve dhe skandaleve në sektorin e shëndetësisë.
“Unë e thashë edhe më herët që shëndetësia është prioriteti im, ka qenë edhe gjatë këtyre viteve, besoj që qytetarët i njohin të gjitha ato kritikat edhe skandalet të cilat i kam vënë në pah në sektorin e shëndetësisë”, tha ai.
Haxhiu tha se arsyeja kryesore pse qytetarët duhet ta votojnë PDK-në është, siç u shpreh ai, ndalja e regresit dhe krizave në vend.
“E para, pse duhet të votohet Partia Demokratike e Kosovës është për me e ndalë regresin e Kosovës, për me e ndalë krizën ekonomike, sociale, institucionale edhe politike që ka rëndu jetën e qytetarëve në Republikën e Kosovës, për me e ndalë degradimin e shtetit i cili po cenohet nga keqqeverisja e Kurtit, për me e ndalë përpjekjen me e zhbë shtetin e Kosovës, me e dobësu demokracinë, edhe përpjekjen për me vendosë monizmin edhe diktaturën të instaluar nga Albin Kurti dhe Dejona Mihali. Kjo është prioritet për çdo qytetar sot sepse kur qytetarët angazhohen, ndryshimi është i mundshëm dhe ne besojmë që ky ndryshim për Kosovën do të jetë i mundshëm me Partinë Demokratike me numrin 125. Unë jam pjesë e listës së Partisë Demokratike me numrin e njëjtë, 109. Jam i njëjti, do të jem i angazhuar në mbrojtjen e interesit të qytetarëve për t’iu shërbyer atyre, ashtu siç kam shërbyer gjatë pesë mandateve të mia, për të qenë aktiv në Kuvendin e Kosovës, për t’i ngritur problemet e tyre“, shtoi ai.
