Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka nisur takimet me qytetarë në lagjen Dardania në Prishtinë, në kuadër të prezantimit të programit politik të subjektit të tij për zgjedhjet e ardhshme.
Haxhiu tha se gjatë këtyre takimeve ka pasur kënaqësinë të takohet me shumë shokë të fëmijërisë dhe fqinjë me të cilët, sipas tij, kanë kaluar periudha të mira dhe të vështira bashkë.
Ai theksoi se përkundër sfidave, asnjëherë nuk janë ndalur dhe nuk janë dorëzuar për të sjellë ndryshimin që qytetarët e Kosovës e meritojnë.
“Fuqia e një populli nuk është pushteti, por rinia dhe qytetarët e tij”, deklaroi Haxhiu, duke shtuar se në këto zgjedhje qytetarët do ta zgjedhin progresin në vend të regresit.
Takimet me qytetarë, sipas tij, do të vazhdojnë edhe në lagje të tjera të kryeqytetit dhe në komuna të ndryshme të vendit.