Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk pajtohet me praktikën që ish-deputetët të marrin pagë kalimtare 12-mujore edhe kur kanë ushtruar mandatin për një periudhë të shkurtër, por theksoi se kjo çështje është e rregulluar me legjislacionin aktual, raporton Ekonomia Online.
E pyetur për kërkesat e disa ish-deputetëve për pagë kalimtare, Haxhiu tha se ligji aktual e parasheh këtë të drejtë, ndonëse sipas saj një praktikë e tillë nuk është e drejtë.
Ajo u shpreh e gatshme që të mbështesë ndryshime ligjore për këtë çështje, duke përmendur edhe praktikat e parlamenteve të tjera.
Sipas Haxhiut, megjithëse nuk e konsideron të drejtë këtë praktikë, institucionet janë të obliguara të zbatojnë ligjin në fuqi.
“Ka një ligj sa i përket kësaj çështje ashtu siç u vendos edhe për deputetët e tjerë që marrin pagë kalendarike, është çështje e diskutueshme pastaj ashtu siç e thatë edhe ju, sepse nuk ka sens që në qoftë se dikush është vetëm gjashtë muaj, as gjashtë muaj, as gjashtë muaj e tepër, po tetë a nëntë muaj të marrë pagë kalendarike dymbëdhjetëmuajshe siç parashihet sipas legjislacionit në fuqi, por unë jam shumë e gatshme që nga ana ime në qoftë se ka iniciativa që dëshirojnë t’i ndryshojnë këto rregullime ligjore që ne kemi gjetë prej kohësh këtu, atëherë jemi shumë të hapur që t’i diskutojmë. Për shembull mund të marrim praktika të ligjeve të tjera, t’asambleve të tjera në kuvend, në qoftë se nuk bën këtë mandat për më shumë se gjashtë muaj, nuk mund t’i gëzosh privilegjet e kryetarit të Kuvendit, po jo kështu, ta zëmë një muaj me qenë deputet mandej pagën kalendarike e merr për një vit. Unë mendoj që kjo nuk është e drejtë, por është e bazuar në legjislacionin në fuqi. Prandaj duke qenë që është e bazuar në legjislacionin në fuqi, ne nuk mundem që të veprojmë në kundërshtim të legjislacionit”, tha ajo.
