Haxhiu për protestat e paralajmëruara: Nëse janë për Specialen, opozita duhet të kërkojë falje

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

U.D. presidentja Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj paralajmërimeve të partive opozitare për protesta në shtator, duke thënë se nëse ato lidhen me vendimin e pritshëm të Gjykatës Speciale, opozita duhet të kërkojë falje për, siç tha ajo, dëmin që i është shkaktuar Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale, ndërsa theksoi se ajo dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e kanë votuar themelimin e kësaj gjykate.

“Nëse është për vendimin e Speciales, ne ende nuk e dimë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale. E unë uroj shumë që Gjykata ta korrigjojë kërkesën e padrejtë të Prokurorisë Speciale. Nëse e kanë për këtë arsye, atëherë unë mund t’ju rikujtoj atyre, unë nuk e kam votuar Gjykatën Speciale. E as subjekti Vetëvendosje, të cilin ata sot e akuzojnë. Prandaj është mirë që të kërkojnë falje publike për dëmin e madh që ia kanë shkaktuar vendit”, tha ajo.

Haxhiu tha se gjatë kohës sa Vetëvendosje ishte në qeverisje, institucionet kishin nisur adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës, duke kërkuar që të fuqizohen institucionet vendore të drejtësisë.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që të fuqizohen institucionet tona të drejtësisë. Përsëri këtë që e kemi bërë në mandatin tonë qeverisës. Kur ne kemi qenë në qeverisje, kemi filluar me adresimin e përgjegjësive për adresimin e krimeve të luftës. Dhe unë besoj që secili pajtoheni me ne, me mua, që tash ka një seriozitet në adresimin e krimeve të luftës, në polici dhe në prokurori speciale. Por ata kanë zgjedhur një rrugë të gabuar dhe për të cilën duhet të mbahen përgjegjës. Unë këtë e kam thënë pa asnjë hezitim kudo dhe kurdo”, tha ajo.

Të ngjashme