U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.
Gjatë takimit, Haxhiu vlerësoi rolin e EULEX-it në mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, në monitorimin e sistemit të drejtësisë, si dhe në angazhimin për çështje me rëndësi të veçantë.
Në veçanti, ajo vlerësoi angazhimin e misionit në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në adresimin e këtyre çështjeve.
U.D. Presidentja Haxhiu shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me EULEX-in dhe i uroi Lopes sukses në detyrën e tij të re.
Ajo shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.