Haxhiu: Të rinjtë e Kosovës kanë potencial të madh në teknologji

Prishtinë | 22 Pri 2026 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu gjatë të mërkurës vizitoi hapësirat inovative të Shkollës Digjitale dhe BONEVET në Prishtinë, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për zhvillimin e të rinjve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, raporton Ekonomoa Online.

Gjatë kësaj vizite, ajo vlerësoi angazhimin e të rinjve në fusha si robotika dhe digjitalizimi, duke u zotuar për vazhdimin e mbështetjes ndaj projekteve të tilla.

“Atëherë faleminderit shumë që jeni këtu në BONEVET, por para se të flas për vizitën time këtu, unë kam pasur dje në plan që të bëj vizitat në disa organizata, në disa kompani për shkak të ditës së inovacionit, por për shkak të seancës së jashtëzakonshme plenare kam qenë e obliguar që të qëndroj në atë seancë dhe të merrem me përgjegjësitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, ishte kënaqësi që sot e nisa ditën në kolegjin AAB me një projekt shumë të rëndësishëm për vajzat në ICT. Pastaj vazhduam në shkollën digjitale, ku mësuam më tepër për zhvillimin e aftësive në teknologji dhe në digjitalizim. E tani jemi në hapësirat e BONEVET. Ndonëse ne kemi pasur informacione se çka bën BONEVET, por megjithatë sot për së afërmi u njoftuam edhe për programet mësimore që ndërlidhen me teknologji, matematikë, shkencë, art edhe të tjera. Pamë shumë nxënës që me një energji shumë të madhe po punojnë edhe në robotikë, që besoj që është shumë e rëndësishme edhe ky aspekt. I urova suksese në çfarëdo gare që kanë në të ardhmen”, tha ajo.

Ajo theksoi se të rinjtë në Kosovë kanë potencial të madh dhe se organizata si BONEVET luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e tyre.

“Po ashtu për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial, e BONEVET ua mundëson e inkurajon ata që ta zhvillojnë sa më shumë kreativitetin por edhe talentin e tyre. Gjithashtu ju ofrova edhe mbështetjen time, por edhe që të shërbej si urë lidhëse me institucione të tjera, duke pasur parasysh që gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë mbështetje në projekte të organizatave që merren me këtë qëllim, prandaj edhe sot u zotova që mbështetja do të vazhdojë dhe që do të ndihmoj aty ku mundem që puna e tyre të bëhet sa më e lehtë edhe që të jetë sa më e dobishme”, tha ajo.

Drejtoresha menaxhuese e “BONEVET”, Flutra Thaçi, tha se mbështetja institucionale është thelbësore për avancimin e aktiviteteve të organizatës.

“Ne me shumë dashni edhe pasion e interpretuam punën të cilën e bëjmë çdo ditë, si ekip, si persona të cilët e adhurojmë teknologjinë, e adhurojmë inovacionin, po gjithmonë e adhurojmë edukimin mbi të gjitha. Kështu që për ne është shumë e rëndësishme të kemi mbështetjen e institucioneve, për shkak se pa institucione edhe puna jonë nuk mundet me shku tejpërtej edhe me mbërri aty ku e kemi qëllimin. Kështu që jemi shumë të lumtur që tani e tutje e kemi dyert e hapura për bashkëpunim edhe ashtu si gjithmonë BONEVET do të vazhdojë të mirëpres qoftë anëtarë të institucioneve të cilët dëshirojnë të shohin punën tonë të përditshme, po do të jetë i hapur për gjithë komunitetin për shkak se është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë një vend ku mund të vijnë të shfaqin talentin e tyre edhe pasionet e tyre”, tha ajo.

Të ngjashme