Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dënuar rastin e dëmtimit të objektit të xhamisë në fshatin Velekincë, nga shtetasi i Kosovës i etnicitetit serb, i cili deri më tani nuk dihet se me çfarë motive e ka kryer veprën.
Në njoftimin e Komunës së Gjilanit, thuhet se sipas dyshimeve të para të policisë, i dyshuari ka probleme psikike.
Haziri ka falënderuar Policinë e Kosovës të Komunës së Gjilanit, për aksionin e kryer me sukses në parandalim dhe arrestimin e të dyshuarit, sikur që ka falënderuar edhe kryetarin e Bashkësisë Islame, Naim Aliu, imamin e xhamisë, Remzi Halimi dhe banorët e Velekincës.
“Rasti që ka ndodhur në fshatin Velekincë në dëmtimin e kupolës së xhamisë, është një rast që Komuna e Gjilanit e dënon ashpër, sepse raste të tilla nuk i shërbejnë aspak klimës së krijuar për shumë vite në sigurinë publike në Gjilan”, ka thënë kryetari Haziri, duke apeluar për qetësi dhe gjakftohtësi nga të gjithë qytetarët e Gjilanit.
Ndërsa, në njoftimin e shkurtër të komandantit të Stacionit Policor në Gjilan, Remzi Azemi, thuhet se pas informatës së pranuar, Policia e Kosovës me njësitet e saja, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer punën profesionale për krijim të sigurisë.
Është arrestuar një qytetar i dyshuar, që është nga komuniteti serb, i cili sipas Azemit ka arritur që ta dëmtojë kupolën e xhamisë për motive ende të pa njohura.
Azemi ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, ndërsa ka bërë të ditur se prokurori ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe rasti është duke u hetuar.
Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës të gjitha njësitet intervenuese, e posaçërisht Njësinë Speciale të Stacionit të Gjilanit, për intervenimin profesional dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili ka probleme psikike.