Për nder të ditëve të çlirimit të Gjilanit,12-qershorit, ditës së hyrjes së forcave ndërkombëtare si dhe 15-qershorit, ditës së hyrjes së forcave të UÇK-së, Kuvendi Komunal ka mbajtur të enjten një seancë solemne, ku kryetari Lutfi Hazirii ka uruar qytetarët për këto ditë bardha, duke thënë se çlirimi individual dhe kolektiv, ka qenë një ndjenjë e pa përshkruar për të gjithë ne.
Haziri ka thënë se këtë ditë ua atribuojmë luftëtarëve të gjallë, dëshmorëve, heronjve dhe të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e kësaj rezistence, përfshirë edhe bashkatdhetarët, që janë pjesë e pandashme e këtij procesi.
Duke u ndërlidh me zgjedhjet e nacionale, Haziri ka uruar kandidatët e komunës së Gjilanit, të cilët kanë fituar ulëse në Parlamentin e Kosovës, duke thënë se rezultati ka treguar një reagim qytetar.
“Natyrisht se në seanca të këtilla duhet të jemi të gjithë bashkë, siç ishim bashkë në zhvendosjen e shtatores së dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të cilët janë roja më e mirë e lirisë që kemi”, ka nënvizuar ai.
Haziri ka thënë më tutje se do të vazhdojmë t`i nderojmë këtë vit Idriz Seferin, Ramiz Cërnicën, Mulla Idriz Gjilanin, Halim Oranën dhe të gjithë patriotët tjerë që kanë kontribuar për vendin, sikurse edhe Kadri Zekën e Abdullah Tahirin, me ndarjen e vendit dhe vendosjen e shtatoreve të tyre.
“Gjilani ua ka pasur për borxh baballarëve të vetë dhe kryengritësve të mëdhenj të vendit, që t`i vendos aty ku e kanë vendin në histori”, ka thënë kryetari Haziri.