Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bashkëpunim me ata që u treguan mosmirënjohës.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se të zhgënjyerit e koalicionit të PDK-së ndihmuan në rritjen e Vetëvendosjes në Gjilan.
“Faleminderit votuesve për konfirmimin e votave për LDK-në në Gjilan. Punuam për rritje, por arritëm në shifrën e afro 14 mijë votave.
Por, të zhgënjyerit e koalicionit të PDK-së ndihmuan në ‘rritjen’ e VV-së edhe në Gjilan. Ne e respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe vazhdojmë ta ruajmë dhe rrisim besimin tonë me ju.
LDK konfirmon se nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bashkëpunim me ata që u treguan mosmirënjohës. Madje, as me ndërmjetësues nuk do të ulemi në tavolinë me ta.
Nesër duhet të themi se si LDK e kemi ruajtur votën tonë, se do të mbajmë unitetin e koalicionit dhe se vendimet do t’i marrim pasi të certifikohen rezultatet.
Sovrani nuk i dha askujt legjitimitetin ta formojë qeverinë, përkundër festave partiake. Ne vazhdojmë punën tonë në çdo sfidë.
Uroj që Gjilani të ketë më shumë deputetë në Kuvend dhe të punojnë për Republikën e Gjilanin.
Dhe, Gjilani nga nesër i kthehet punës, pastrimit nga posterët e sloganet zgjedhore, për ta normalizuar punën e qeverisjes lokale, duke e ruajtur besimin e mbi 60 për qind tuajin për punët komunale”, ka shkruar ai.