Heshtje për koalicionet, nga 21 komuna në balotazh vetëm në katër janë arritur marrëveshje

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor, njoftoi se në 21 komuna të Kosovës do të ketë edhe raund të dytë të zgjedhjeve.

Kur kanë mbetur edhe dhjetë ditë deri në ditën kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve, nga 21 komuna që shkojnë në balotazh, vetëm në katër janë bërë publike arritja e marrëveshjeve për koalicione.

Deri më tani, koalicione të cilat janë bërë publike janë në Prizren, Malishevë, Gjilan, ndërkaq në Kamenicë megjithëse nuk është bërë e ditur se ka koalicion, AAK-ja ka deklaruar se do të mbështesë kandidatin e LVV-së në garën e balotazhit, shkruan Telegrafi.

Në garën e balotazhit për të parin e Prizrenit, do të jenë Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës.

Derisa nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë dhënë përgjigje në lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm për asnjërën nga komunat, në Prizren PDK—ja ka arritur të bëj koalicion me tri degë të partive atje.

Totaj i PDK-së ka njoftuar se ka arritur të marrë mbështetje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Nisma Socialdemokrate.

Në këtë komunë, Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Prizren, përmes një komunikate për media kanë njoftuar se kanë vendosur që të mos e mbështesë asnjërin kandidat për kryetar të Prizrenit.

Në Komunën e Malishevës gara e balotazhit do të jetë mes kandidatit të Nismës Socialdemokrate, Ekrem Kastrati dhe Isni Kilajt nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deri më tani në këtë komunë marrëveshje koalicioni kanë nënshkruar Isni Kilaj i PDK-së, me Kastriot Berishën nga AAK, që ishte po ashtu kandidat për kryetar të Malishevës por që nuk arriti balotazhin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për koalicion për raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahen më 14 nëntor në Komunën e Gjilanit.

Në Gjilan në balotazh janë kandidati i LDK-së dhe kryetari aktual i komunës, Lutfi Haziri dhe kandidati i LVV-së, Alban Hyseni.

Në Komunën e Kamenicës, në garën për balotazh do të jenë kryetari aktual i kësaj komune, kandidati i Partisë Socialdemokrate, Qëndron Kastrati dhe kandidati i LVV-së për këtë komunë, Kadri Rahimaj.

Edhe pse nuk është bërë e ditur nëse ka formalisht koalicion, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Kamenicë ka vendosur që të mbështesë në balotazhin e 14 nëntorit, kandidatin e LVV-së.

Një marrëveshje koalicioni ishte shpallur para disa ditësh edhe në Komunën e Junikut, mes LDK-së e LVV-së, por që më pas këta të fundit e mohuan.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu kishte thënë se është nënshkruar koalicioni LDK-LVV në këtë komunë.

Në llogarinë e tij në Facebook ai po ashtu kishte deklaruar se ditëve në vijim do të publikojnë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025.

Por, një gjë e tillë u mohua nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka kishte deklaruar për Telegrafin se as organet lokale as ato qendrore nuk kanë biseduar për asnjë marrëveshje.

“Organet e LVV-së, as ato lokale e as ato qendrore, nuk kanë biseduar për asnjë marrëveshje ashtu siç parashihet me rregulloret tona. Andaj nuk ka asnjë marrëveshje”, deklaroi Manxhuka.

Ndërkaq, pas shpalljes së rezultateve nga KQZ, balotazh do të ketë në këto komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot, transmeton Telegrafi.

Sa i përket koalicioneve në kryeqytet, gjatë intervistës në “Përballje” në Telegrafi, kandidati për Prishtinën, Arben Vitia i LVV-së ka thënë se nuk ka ndonjë zhvillim sa u përket koalicioneve.

Kurse, Përparim Rama i LDK-së ka thënë se qysh në fillim kur e ka shpallur kandidaturën ka thënë se gara në kryeqytet duhet të jetë garë e ideve, e jo e partive dhe se do të ketë koalicion vetëm me qytetarin.






Fjalë Kryesore:

Të ngjashme