Moska për Shqipërinë e Enverit, leckamanë që japin mend

Prishtinë | 18 Gus 2016 | 20:00 | Nga

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës

Si u komentua largimi i Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik? Çfarë shkruante publicisti gjermano-perëndimor në vitet ’60 për politikën shqiptare? Moska ndërhyn në vendet evropiane kundër Shqipërisë? Si u prish plani i ndërtimit të pallatit të miqësisë sovjeto-shqiptare?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës.

Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqindvjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina

D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare.

Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Hrushovi përsëriti gabimin e Stalinit, i cili, në vitin 1948, përjashtoi Jugosllavinë nga bashkia e vendeve socialiste që po krijohej.

Humbja e Shqipërisë në vitin 1961 pati një pasojë akoma më të rëndë për BRSS-në, duke e dobësuar në mënyrë të ndjeshme pozitën ushtarako-strategjike për të gjithë kampin socialist, në raport me bllokun e NATO-s.

Që në fillim të viteve ’60, publicisti gjermano-perëndimor, Harri Hamm, duke analizuar pasojat e largimit të Shqipërisë, nxirrte këtë përfundim aspak ngushëllues në librin e vet, “Të rebeluarit kundër Moskës: Shqipëria një urë kalimi e Pekinit në Evropë”: “Për vendet komuniste të Ballkanit, realizimi i një politike unike ndaj Turqisë e Greqisë, me mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Sovjetik, këtej e tutje është e pamundur”.

Nga stonaturat e Hrushovit e pësoi autoriteti i BRSS-së në botë. Ndëshkimi i Shqipërisë së vogël, ndonëse kryeneçe, u përjetua në mënyrë kritike si nga republikat e Bashkimit Sovjetik, veçanërisht nga ato me popullsi të vogël, ashtu edhe nga vendet e huaja, si p.sh., Kuba.

Shprehjet të tipit: “Si nja dy milionë”, “Leckamane që kërkon të japë mend”, nuk u pritën mirë dhe shërbyen si vërtetim i shprehive të vjetra prej shtetit të madh të Moskës dhe i synimit të saj për diktat.

Në situatën e ndërlikuar ndërkombëtare të fillimit të viteve ’60, udhëheqësit shqiptarë nuk dukeshin pa mëkate dhe nuk po e pësonin pa faj. Ata prireshin nga një llogari thellësisht pragmatiste.

Me kushtin e vetëm që të ruhej pushteti i tyre, shpërfaqej dhe mbështetja në autoritetin moral për ndihmën materiale së “një miku të madh”. Në vitin 1961, vendin e Bashkimit Sovjetik e zuri Republika Popullore e Kinës. Shqipëria hyri në “periudhën kineze”.

Krijimi dhe rrëzimi i miteve

Viti 1961 qe guri i ri kilometrik në historinë e Shqipërisë së pasluftës. Fillimi i tij nuk parathotë atë ndryshim dramatik, që kishte filluar si rezultat i keqësimit, e më pas i prishjes së marrëdhënieve sovjeto-shqiptare.

Në të gjithë vendet e bashkësisë socialiste qe rrënjosur praktika (sipas shembullit të BRSS-së) e planifikimit të gjithë jetës politiko-ekonomiko të shoqërisë me pesëvjeçarë dhe kongreseve të partive.

Kongresi përcaktonte direktivat e pesëvjeçarit të radhës, të cilat përfshinin gjithçka, nga politika e jashtme deri te kultura, parlamenti, i miratonte populli nën udhëheqjen e partisë, realizonte dhe tejkalonte detyrat, pastaj kongresi tjetër bënte bilancin e arritjeve, përcaktonte detyrat e ardhshme dhe më tej gjithçka shkonte sipas një rrethi të mbyllur, ndërsa kur dilnin pengesa dhe për qarqet e larta të pushtetit, bëhej e qartë se treguesit e planifikuar ishin larg nga rezultatet reale, në radhët e punës bëheshin korrigjimet, ndërsa shkenca e bindur e statistikës e gjente më të përshtatshme të falsifikonte.

Si përfundim, dilte se edhe dega më e dështuar e ekonomisë, që kudo dhe përherë ishte bujqësia, e kishte realizuar planin 99%. Dhe Shqipëria nuk bënte përjashtim.

Kongresi i IV i PPSH-së, data e mbledhjes të së cilit u shty disa herë (nga nëntori në dhjetorin e vitit 1960, nga dhjetori në janar të vitit 1961), u mbajt në shkurt të vitit 1961. Në pjesët për politikën e brendshme e të jashtme të raporteve kryesore, një vëmendje e madhe iu kushtua çështjeve teorike e, gjithashtu, demaskimit të revizionizmit modern. Ky term u ngulit thellë në propagandën zyrtare shqiptare, kur u bë e domosdoshme të kritikohej udhëheqja e PK të BS-së, pa përmendur haptas emrin e saj.

Në përfundim përcaktohej se në Shqipëri nuk ekzistonte më ekonomia e larmishme, se ishte krijuar sistemi socialist i ekonomisë, vendi kishte hyrë në periudhën e ndërtimit të bazës materiale-teknike të socializmit e të zhvillimit të përshpejtuar dhe në udhën e transformimit nga një vend agraro-industrial, në industrialo-agrar.

Për arritjen e këtyre synimeve, sipas planit të tretë pesëvjeçar (1961-1965) parashikohej rritja e konsiderueshme e prodhimit shoqëror: vëllimi i prodhimit të përgjithshëm industrial 52%, bujqësor 72%, të ardhurat kombëtare 65%. Synohej dhe një ngritje e dukshme e mirëqenies materiale të punonjësve.

Por në realizimin e detyrave të pesëvjeçarit të tretë dolën menjëherë vështirësi jo të vogla. Ndërprerja e lidhjeve ndërshtetërore sovjeto-shqiptare solli ndërprerjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Me rekomandimet këmbëngulëse të Moskës, vendet evropiane anëtare të KNER-it, refuzuan t’i jepnin Shqipërisë kreditë e negociuara, që më parë përbënin 30-35% të  gjitha investimeve kapitale në ekonominë e vendit. Ata tërhoqën specialistë, të cilët punonin në degë të ndryshme të ekonomisë shqiptare.

Si përfundim, më shumë se 40 objekte industriale, ndërtimi i të cilave kishte filluar me ndihmën e kreditimeve nga jashtë, u vunë pjesërisht apo tërësisht në ngrirje. Tregtia e pesëvjeçarit të dytë përbënte më shumë se 54% të tregtisë së jashtme, në vitin 1961 u reduktua në një të tretën, krahasuar me vitin 1960, ndërsa në vitin 1962 praktikisht u ndërprenë.

U ul në mënyrë të dukshme këmbimi i mallrave me RD Gjermane, Rumaninë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Ndihma e shumë reklamuar e Kinës, e parashikuar për të arnuar të çarën e krijuar si pasojë e ndërprerjes së lidhjeve me miqtë e Evropës Lindore, u vonua.

Ajo filloi të vinte vetëm pas vitit 1963.Qeveria e RPSH-së u bëri thirrje punonjësve të përfundonin ndërtimin e disa objekteve me forcat e veta.

Kjo nismë nuk u kufizua vetëm me ndërtimin e ndërmarrjeve industriale. Një fat i hidhur e priste pallatin e miqësisë sovjeto-shqiptare, dhuratë e qeverisë sovjetike për popullin shqiptar.

Ai filloi të ndërtohej sipas projektit të arkitektëve sovjetikë, me materiale ndërtimi e me pjesëmarrjen e inxhinierëve sovjetikë, në vendin ku ndodhej pazari i vjetër, një rrënojë larushe në qendër të kryeqytetit. Me rritjen e fërkimit të dy palëve, në Moskë u vendos ngrirja e ndërtimit.

Prandaj në prill të vitit 1961, pas endjesh të gjata deri në brigjet shqiptare, hyri në portin e Durrësit anija tregtare në të cilën ndodheshin furnizimet dhe pajisjet e tjera për ndërtesën, sipas urdhrit të marrë që gjatë udhëtimit, materialet nuk u shkarkuan, por u kthyen mbrapsht në atdhe.

Për një farë kohe, simboli i papërfunduar i miqësisë mbeti si i vdekur, deri sa specialistët shqiptarë të ndërtimit e shndërruan në një kompleks, që përmblidhte Teatrin e Operës dhe Bibliotekën Kombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme