Në 240 vjet të pavarësisë dhe ndërrimit të 44 presidentëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë pasur në krye të shtetit një grua.
Mirëpo, kjo mund të ndryshojë në nëntor të këtij viti nëse Hillary Clinton mposht kandidatin republikan Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Clinton dje edhe zyrtarisht është nominuar nga demokratët duke bërë kështu historinë, meqenëse është bërë femra e parë që kandidohet nga një parti për presidente të vendit.
Derisa Donald Trump është më i panjohur për Kosovën, Hillary-n e lidh ngushtë historia dhe veprimtaria me shtetin tonë të vogël.
Përveç faktit se në çlirimin e Kosovës ishte bashkëshorti i saj Bill Cllinton, si president i SHBA-së që luajti një rol vendimtar, Hillary pas luftës kishte bërë edhe dy vizita të ndryshme në Prishtinë si sekretare e shtetit amerikan.
Publicistët kosovarë nuk kanë dyshime se zgjedhja e cilit president do të ishte më e mirë për Kosovën.
Derisa disa i “frikësohen” fuqizimit të Trumpit dhe politikave të tij përjashtuese, ka të tjerë të cilët nuk e lidhin raportin Kosovë – SHBA në bazë të presidentit të ri amerikan.
Publicisti që jeton në New Yorku, Uk Lushi, ka thënë për gazetën zeri se lidhja e popullit shqiptar me atë amerikan duhet të jetë institucionale pavarësisht se kush do të zgjidhet president në nëntor.
“Populli shqiptar duhet të ketë lidhje institucionale me popullin amerikan pavarësisht kush zgjidhet të udhëheqë”, ka thënë Lushi.
Ai ka shtuar se Amerika do të përkrahë shqiptarët sepse shqiptarët e përkrahin Amerikën.
“Shqiptarët janë në lidhje miqësore me SHBA-në si shtet. U takon votuesve amerikanë të zgjedhin presidentin dhe përfaqësuesit e tyre. Amerika do t’i përkrahë shqiptarët, sepse shqiptarët përkrahin Amerikën dhe interesat shqiptare janë kongruentë me interesat amerikane në shumë dimensione”, ka përfunduar publicisti Uk Lushi.