Kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e kërkimit të ndihmës nga qeveria kineze për t’i kontrolluar protestat, nëse situata bëhet shumë e keqe. Sidoqoftë, ajo shtoi se autoritetet e qytetit tash për tash mund ta kontrollojnë gjendjen vetë.
Lam deklaroi se në këtë moment nuk ka plane për t’i shfrytëzuar kompetencat që ia ofron ligji i emergjencave pasi ligji kundërthënës për ndalimin e maskave nxiti tensione të reja në qytet dhe solli protesta që zgjatën katër ditë.
Ajo paralajmëroi se ekonomia e Hong Kongut po hyn në një dimër të vështirë, sepse protestat e kanë goditur rëndë sektorin e turizmit. Në gusht dhe shtator, numri i turistëve të huaj në këtë vend ra për 30, respektivisht 40 për qind.
Më herët, një anëtar i kabinetit qeveritar ka propozuar që të ndërpriten shërbimet e internetit në mënyrë që të kontrollohen protestat. Ato nuk kanë ndonjë lider dhe janë organizuar kryesisht përmes forumeve në internet.
Duke folur para gazetarëve para takimit të këshillit ekzekutiv, kryetarja tha se është shumë herët për të vlerësuar nëse zbatimi i ligjit për ndalimin e maskave ka qenë i suksesshëm, por gjithashtu theksoi se nuk është penduar që e ka miratuar atë, shkruan “The Guardian”.