Hong Kongu publikon të dhënat e humbjeve ekonomike të shkaktuara nga trazirat

Prishtinë | 26 Gus 2019 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Trazirat e kohëve të fundit në Hong Kong kanë shkaktuar ndikime negative mbi ekonominë e rajonit.

Në një konferencë të shtypi, sekretari për Transportin dhe Strehimin, Chen Fan, tha se që nga fundi i korrikut të këtij viti, aeroporti u ndikua disa herë nga grumbullimet masive, duke dëmtuar rëndë menaxhimin e tij si një nyjë e rëndësishme e aviacionit ndërkombëtar.

“Fama ndërkombëtare, aviacioni, turizmi, tregtia dhe logjistika e Hong Kongut u dëmtuan seriozisht. Nga 1 deri më 21 gusht, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Hong-Kongut u bënë 4.16 milionë udhëtime individuale ose 540 mijë më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një ulje 11 për qind. Edhe vëllimi i transportit të mallrave u ul me 14 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018”, tha Fan.

Ndërsa, sekretari për Tregtinë e Zhvillimin Ekonomik, Qiu Tenghua, bëri të ditur se gjithsej 31 vende kanë lëshuar paralajmërim për shtetasit e tyre që dëshirojnë të shkojnë në Hong Kong për turizëm dhe se kohët e fundit numri i turistëve u ul ndjeshëm.

“Sipas shifrave të fundit, nga 15 deri në 20 gusht, numri i turistëve u ul 49.6 për qind. Domethënë, pavarësisht nga cili vend vijnë turistët, numri i tyre në përgjithësi ra me 50 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjë që është ulja më e madhe gjatë viteve të fundit. Kjo na shqetëson shumë”, tha Tenhua.

Përveç ndikimit negativ për sektorin e turizmit edhe hotelet e Hong Kongut patën një ulje deri 40 për qind, madje në një pjesë të tyre mbetën më shumë se 50 për qind e dhomave të lira. Sektori i shitjes me pakicë, sipas të dhënave të Shoqatës së Shitjes me Pakicë, është ulur me 50 për qind në gusht. Shumë kompani të huaja janë të shqetësuara nga trazirat në Hong Kong dhe po i kushtojnë vëmendje të madhe zhvillimit të gjendjes aty.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme