Hoti ndryshoi qëndrimin rreth koordinatorëve, caktimi i Veliut arsyetohet prej Qeverisë

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 20:12 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqja me ekzekutivin ka bërë që Avdullah Hoti të ndryshojë qëndrimet që i kishte pak më shumë se një vit më parë. Në shkurt të 2019-s, përmes një statusi në Facebook, Avdullah Hoti, në atë kohë opozitë, caktimin e koordinatorit nacional kundër terrorizmit e ka quajtur plaçkë të buxhetit.

“Sot u caktua një koordinator nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, megjithëse janë forcat e rendit dhe njësitë e specializuara kundër terrorizmit. Kësaj nuk i thonë ndryshe veçse plaçkë derisa e kanë në dorë buxhetin e qytetarëve”, kishte shkruar ndër të tjerash Hoti.

Por, nën udhëheqjen e tij, kabineti qeveritar, këtë të martë, ka miratuar caktimin e një koordinatori të tillë, pozitën e të cilit do ta mbajë bashkë-partiaku i Hotit, Agim Veliu.

E ishte vetë Veliu, ai i cili kërkoi votat e kabinetit qeveritar për këtë pozitë.

Caktimin e Veliut si koordinator nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, e arsyetoi edhe zv. kryeministri Besnik Tahiri.

Disa orë pas miratimit në Qeveri, përmes një njoftimi për media, ekzekutivi sqaroi edhe njëherë caktimin e Veliut në pozitën e koordinatorit nacional.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka emëruar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit. Ky emërim nuk nënkupton assesi se është krijuar një pozitë e re. Në detyrën e koordinatorit ai nuk do të ketë as staf të ri, as pagesë shtesë”, thuhet në sqarimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kabineti qeveritar ka mbështetur Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, si dhe ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

Në mbledhjen e 14-të me radhë, Qeveria ka ndarë 71 mijë e 269 euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në Komunën e Suharekës, si dhe ka miratuar tri kërkesa për shpronësim për interes publik.

Të ngjashme