Hoti nënshkruan marrëveshje me Kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës​

Prishtinë | 06 Dhj 2018 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës Rexhep Hoti sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin  e Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha, për realizimin e Programit Nacional për Rininë.

Koordinatori Hoti tha se pret nga Komuna e Fushë Kosovës që të implementojë Programin Nacional për Rininë duke u mundësuar të rinjve që të kenë një qasje ndryshe dhe më të dashur ndaj shkollës.

“Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës të nivelit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Për të tria fushat janë përgatitur udhëzuesit për rrjedhën e garës. Roli i komunës në realizimin e këtij programi është i rëndësishëm prandaj ju falënderoj për mbështetje”, tha Koordinatori Hoti.

Berisha u shpreh i lumtur që nxënësit do të kenë mundësi që përmes garës të shprehin talentin e tyre. “Ne në të gjitha mandatet e kemi pasur prioritet arsimin. Për vite me radhë kemi bërë përpjekje  që shahun ta fusim si lëndë zgjedhore, mirëpo deri tani ka qenë e pamundur. Përmes këtij programi sigurisht se do të ngritët edhe cilësia në arsim për shkak që e ka garën si komponentë. Ne në çdo shkollë kemi të gjitha sallat që e mundësojnë zhvillimin e garave në sport dhe do të përkushtohemi që nxënësit ta kenë më të lehtë zhvillimin e garave”, theksoi Berisha.

Hoti në takim u shoqërua nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Leonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri. Që të dy theksuan se ministritë që përfaqësojnë e përkrahin Koordinatorin Hoti dhe programin e tij për nxënësit dhe se presin që ky program të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë në arsim.

Marrëveshja e bashkëpunimit me Komunën e Fushë Kosovës përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me diturinë, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, si dhe sportin.

Të ngjashme