Hoti: Kurti pagoi pa procedurë prokurimi 58 mijë franga për një mikronferencë në Davos

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës ka shprehur kritika për performancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Forumin Botëror Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicrës.

Sipas Hotit thirrjet për investitorë dhe paralajmërime për konflikt nuk shkojnë bashkë.

Ish-kryeministri Hoti ka zbuluar se Kurti ka organizuar një minikonferencë për investime, për të cilën e ka paguar një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi.

”Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi“, ka shkruar Hoti në Facebook, të mërkurën.

“Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka”, vazhdon ai.

Deputeti opozitar pyet se ”çfarë mesazhe janë këto dhe çfarë promovimi i investimeve është ky?“.

”Kush po e këshillon kështu“, vazhdon pyetja e Hotit.

”Kah na shpie kjo qasje në fushën e politikës dhe të ekonomisë?“, shton ai.

Të ngjashme