Hoti për projektin e gazit: Pse frikësoheni nga qytetarët?

Prishtinë | 20 Qer 2026 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i rizgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me debatin për projektin e gazit, duke kritikuar qasjen e institucioneve ndaj kundërshtimeve dhe reagimeve publike për këtë çështje.

Në një postim në rrjetet sociale, Hoti ka thënë se reagimet e zyrtarëve amerikanë dhe të Odës Ekonomike Amerikane nuk janë marrë parasysh, ndërsa sipas tij, institucionet kanë reaguar menjëherë sapo është dëgjuar zëri i qytetarëve dhe protestat.

“Çuditërisht, për çështjen e gazit nuk dëgjuan reagimet e zyrtarëve të Administratës Amerikane dhe Odës Ekonomike Amerikane, por u ra në vesh menjëherë sapo u përmend zëri i qytetarëve dhe protesta”, ka shkruar Hoti.

Ai ka ngritur pyetjen se pse, sipas tij, pushteti po tregon shqetësim ndaj reagimeve të qytetarëve.

“Pyetja është e thjeshtë: pse frikësoheni nga qytetarët?”, ka deklaruar ai.

Hoti ka theksuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të trajtohen si çështje të politikës ditore, por si bazë e shtetndërtimit të Kosovës.

“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është politikë ditore, por është themel i shtetit tonë”, shtoi Hoti.

Të ngjashme