Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti në vazhdën e takimeve me kryetarët e komunave, sot ka mbajtur takim me kryetarin e komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Në takim u bisedua për mbajtjen e garave Nacionale të Sportit si dhe garat Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik që do të fillojnë nga ky muaj.
“Sporti dhe garat tjera të cilat janë të parapara me Programin Nacional për Rininë, janë e drejtë elementare e secilit nxënës. Për këtë ne duhet të angazhohemi duke filluar nga instancat më të larta qeveritare deri te ato shkollore. Dy garat e mbajtura kanë treguar se nxënësit janë të përkushtuar të marrin pjesë në programet jashtëkurrikulare. Ne përmes garave do t’ia mundësojmë secilit nxënës që aktivitetet e tyre t’i zhvillojnë në formë institucionale. Po ashtu tani edhe përmes sportit, secila shkollë do ta ketë rastin që ti identifikoj talentët e tyre”, tha Hoti.
Kurse Ilazi falënderoi koordinatorin Hoti dhe shprehu gatishmërinë që garat të realizohen edhe në Sport ashtu siç janë mbajtur dy garat paraprake; në Dituri dhe Mendim Kritik.
Në takim mori pjesë edhe Drejtori Komunal i Arsimit, Zahir Dodaj i cili tha se Komuna e Kaçanikut përkundër që ka një numër jo edhe aq të madh të nxënësve janë shumë të kënaqur që përmes Programit Nacional për Rininë nxënësit kanë arritur të shpallen fitues edhe për nivelin republikan ndërkohë që shtoi se do t’i bëjmë të gjitha parapërgatitjet edhe për garën e Sportit që secili nxënës të përzgjedh një nga sportet që ofron Programi Nacional për Rininë.
Komuna e Kaçanikut në garat e mbajtura të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe Garat e Diturisë në të tri nivelet, kishte 1205 nxënës fitues që do të shpërblehen varësisht vendit që kanë fituar në garë.