Hoti tregon pse Kosova ngeci në njohje dhe se a duhet mbajtur shpresë për liberalizim

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 16:48 | Nga

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti tregon për se pse Kosova ka pasur ngecjet në çështjen e njohjeve, po ashtu tregon se cila është rruga më e mirë për të arritur liberalizimin e vizave.

Hoti për lajmi.net ka thënë se çështja e njohjeve është interes i dyanshëm dhe njohjet nuk varën vetëm nga Kosova, por ai thotë se nuk është bërë sa duhet në këtë drejtim.

“Njohjet nuk varën nga shteti, respektivisht asnjë qeveri e jashtme nuk e pyet Kosovën nëse më të vërtetë ne dëshirojmë të na njohë ose jo. Çështja e njohjes është çështje interesi të shtetit që ndërmerr aktin e njohjes e para. Megjithatë, ky nuk do të duhet të shërbej si justifikim në kuptimin e asaj që, neve nuk na pyet askush për njohje dhe ne duhet të rrimë duar kryq, përkundrazi, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe puna jonë të konsistojë në dy çështje kryesore”, u shpreh ai.

Sipas tij, për të pasur njohje më shumë duhet, “nën një, nderimin e institucioneve shumë stabile demokratike, jo të korruptuara, thjeshtë të tilla që janë në trend me zhvillimet dhe me politikën ndërkombëtare. E dyta, ndërtimin e një funksioni të jashtëm shumë kredibil dhe profesional që në thumb ose në maje të aktivitetit të tij do të duhej ta kishte koordinimin me shtete të fuqishme. Me ato shtete që kanë fuqi në diplomaci për të shfrytëzuar çdo hapsish, mundësi që u jepet institucioneve tona për të kërkuar që në koordinim më shtetet e mëdha të marrim eventualisht njohje për Kosovën.

Profesori thotë se Kosova është treguar neglizhente, “ose nuk i kemi vërejt absolutisht shanset dhe ato kanë ikur si rezultat kemi një numër të kufizuar të njohjeve.”

Hoti foli edhe për demarkacionin, sipas tij demarkacioni është çështje e padrejtë nga Kosovës, por është kusht i pa-tjetërsuar nga BE-ja dhe duhet plotësuar.

“Demarkacioni nuk ka qenë kusht për liberalizim të vizave për asnjë shtet, prandaj këtu është një risi që i imponohet Kosovës, kjo është një e padrejtë që i bëhet Kosovës, mirëpo BE-ja merr vendime që ju përshtaten rrethanave ose proceseve politike”, deklaroi profesori për lajmi.net.

Ai tha se çështja e demarkacionit kërkon zgjedhje si tash për liberalizim, ose më vonë për hyrje në BE.

“Ne nuk duhet të arsyetojmë atë se pse shtetet e tjera nuk e kanë pas kusht demarkacionin për liberalizim, sepse nëse nuk e kemi si kusht për liberalizim atëherë të stadet e mëvonshëm për anëtarësim të plotë në BE. Nëse sot eventualisht nuk ballafaqohemi me çështjen e demarkacioni, asnjë shtet nuk mund të futet në BE nëse paraprakisht nuk definon në mënyrë të qartë kufijtë e vet”, u shpreh ai.

Sipas tij, “demarkacioni do të duhej të ishte subjekt i trajtimit edhe i negocimit mes dy kampeve politike në Kosovë pozitës dhe opozitës, sepse edhe në rast se do të hidhej varianti aktual i demarkacionit, të dyja kampet duhet të ulen dhe të bisedojnë.”

Ndër tjera, ai tha, se “demarkacioni është kusht formal. BE e ka bërë të qartë se demarkacioni dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit në nivele të larta janë kushte formale, pra janë të patejkalueshme.”

Hoti ritheksoi se nëse duam liberalizim, duhet t’i përvjelim mëngët në radhë të parë për demarkacionin dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Detyrat e dhëna nga BE-ja duhet të kryhen patjetër nëse duam liberalizim”, tha ai.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, thotë se duhet mbajtur shpresë se këtë vit mund të kemi liberalizim vizash, por ai thotë se kjo arrihet vetëm me punë.

“Po, nëse ka vullnet të vërtetë, jo sipërfaqësor, jo kozmetik. Problemet nuk zgjidhen nëse i mbajmë nën tavolinë. Për të mbërritur liberalizimin duhet caktuar agjende e qartë dhe të punohet seriozisht”, tha krejt në fund Hoti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme