Hoti: Veteranët u bënë me pensione vetëm kur LDK-ja e drejtoi Qeverinë

Drenas | 05 Qer 2017 | 12:59 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati i koalicionit të djathtë për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën në Drenas se vlerat e luftës nuk duhet të përdoren vetëm për të ardhur në pushtet.

“Vlerat e luftës çlirimtare që janë krijuar këtu në Drenicë ata i njohin vetëm për të marrë pushtet prej votave tuaja. Ne i kemi çmuar dhe do t’i çmojmë gjithmonë këto vlera. Vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës e mori drejtimin e qeverisë, u siguruan pensionet për veteranët e luftës”, ka thënë Hoti.

Ai ka potencuar se Drenica, ashtu sikurse krejt Kosova, ka nevojë për një qeverisje të mirë e me duar të pastra, për një qeverisje që nuk shantazhon dhe nuk shantazhohet.

“Kosova ka nevojë për frymëmarrje të lirë. Që të zhvillohet ekonomikisht, të krijojë perspektivë për rininë e saj të mrekullueshme dhe të bëhet vend me të cilin krenohen qytetarët e saj dhe miqtë euro-atlantikë të saj. Drenica do ta ketë vëmendjen e veçantë të qeverisë që unë do ta drejtoj. Përmes Ligjit për Investime Strategjike, në Drenicë do të sjellim investitorë seriozë, që do të krijojnë vende pune e mirëqenie për familjet tuaja”, ka pohuar Hoti.

Ai është zotuar se rinisë së Drenicës do t’ia kthejmë shpresën. “Sapo t’i kryejnë studimet, ne do t’u garantojmë 1 vjet përvojë pune me pagesë. Ata pastaj do të jenë kuadrot që do të punojnë nëpër bizneset që do të hapen përmes investimeve të shqiptarëve apo investimeve të huaja”, ka deklaruar Hoti.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se ne kemi ofruar një program për të cilin jemi të bindur që është më i miri, lista jonë është më e mira dhe njeriu i nominuar për kryeministër është i duhuri për të udhëhequr vendin. “Programi ynë ofron zhvillim ekonomik dhe ne i kemi ekspertët më të mirë të kësaj fushe, madje mund të them se e kemi ajkën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.

“Kryeministri jonë i ardhshëm tha se gjatë këtij mandati u kemi siguruar veteranëve të UÇK-së pensionet e merituara. Nuk ka qenë e lehtë, sepse ne e kemi trashëguar një buxhet nga qeveri e mëhershme, e cila për këtë qëllim pati ndarë 23 milionë, ndërsa ne i kemi dhënë 65 milionë euro, në mënyrë që t’i përmbushim të gjitha obligimet ndaj veteranëve, ndërsa në asnjë rast nuk kemi menduar që këta veteranë përmes këtyre pagesave të shfrytëzohen politikisht. Pensionet e tyre u takojnë për meritat në luftë dhe ata nuk duhet të abuzohen për votë apo në një mënyrë tjetër”, ka thënë Hoti.

Bedri Nika, kryetar i degës së LDK-ë në Drenas ka thënë se LDK gjatë mandatit qeverisës ka dëshmuar fuqishëm se ka potencial për ta zhvilluar Kosovën me hapa të shpejtë.

“Vetëm koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka potencial të zhvillojë Kosovën. Diçka të tillë nuk mund të bëjë koalicioni i formuar pesë minuta para orës 24:00. Problemet nuk zgjidhen as me protesta të dhunshme. Koalicioni i territ, i krijuar në laboratorin e krimit, vazhdon me britma dhe shpifje plot mllef dhe hipokrizi. Sot është koha për të filluar me zhvillim ekonomik, me jetë më të mirë, me stabilitet në vend dhe këtë mund ta bëjë vetëm koalicioni ynë, koalicioni i shpresës, në krye me kryeministrin e ardhshëm, dr. Avdullah Hotin”, ka thënë Nika.

Ai ka shtuar se më 11 qershor janë dy rrugë.

“Njëra të çon te politika e krimit dhe korrupsionit, ndërsa tjetra te zhvillimi ekonomik dhe e ardhmja me prosperitet. Ju ftoj të marrim rrugën e dytë dhe të shkruajmë në faqe të re të historisë, në të cilën dija do të fitojë mbi arrogancën”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.


Të ngjashme