Hoti viziton arbëreshët e Kalabrisë

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali ka vizituar arbëreshët në Kalabri, ku vizitoi vende të ndryshme ku ruhet ende kultura arbëreshe si dhe u takua me personalitete të rëndësishme të asaj zone. 

Koordinatori Hoti takoi Don Antonio Bellusci, i njohur si shkrimtar, historian, gazetar e tani i njëjti është prift në kishën e fshatit arbëresh Frascineto. Ai ka shkruar shumë libra për historinë arbëreshe, libra etnografik, letrar e të tjerë. Koordinatori Hoti bisedoi me Don Belluscin për gjendjen e arbëreshëve në Kalabri duke përfshirë këtu kulturën e gjuhën arbëreshe. 

“Është kënaqësi të jem këtu me ju edhe më kënaqësi kur këtu shoh aq shumë libra në gjuhën shqipe e arbëreshe dhe që ju po flisni aq mirë shqip. Ju keni ruajtur pasurinë më të madhe të një kombi e ajo është gjuha, tani po shoh se ju keni ruajtur po aq mirë edhe traditën e veshjen arbëreshe”, tha Hoti. 

Ndërsa, Don Bellusci e falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën dhe e njoftoi atë për gjendjen e arbëresheve në kohët e sotme si dhe foli për historinë e tyre që nga arbëreshët e parë në Kalabri. 

“E vlerësoj shumë vizitën tuaj këtu te ne, arbëreshët e Kalabrisë. Kjo për ne do të thotë shumë sepse ju jeni vëlla i joni. Ju e dini se siç kanë ndodhur migrimet e arbëreshëve për në Kalabri, mirëpo me kalimin e kohës kanë ndryshuar shumë gjëra. Kemi mbetur pak në numër që flasim gjuhën arbëreshe dhe që e ruajmë kulturën e të parëve tanë. Më e keqja është se ky numër çdo ditë e më shumë po shkon duke u zvogëluar”, tha Don Bellusci. 

Po aty, Hoti takoi një arbëreshe 83 vjeçare e cila ende ruan gjuhen, traditën dhe folklorin arbëresh në mënyrë të jashtëzakonshëm. 

Koordinatori Hoti vizitoi pastaj Muzeun e Kostumeve Arbëreshe ku ishin të ekspozuara veshjet dhe kultura e arbëreshëve përgjatë shekujve duke filluar nga imigrimi i parë i tyre i vitit 1448 e deri tek i pesti imigrimi i cili ndodhi dy herë në vitet 1647 dhe 1680. 

Veç kësaj Hoti vizitoi edhe Muzeun e Ikonografisë dhe Traditave Bizantine në Franscineto, i cili është muze me më së shumti eksponate të kulturës bizantine në Itali. Ky muze aktualisht ka mbi 600 eksponate, derisa ikona më e vjetër në të i takon shekullit të XVI-të. Ndër të tjera, aty ka të ekspozuar edhe libra nga Bizantini, Roma, Shqipëria e vende të tjera.

Koordinatori Hoti vizitoi edhe Muzeun në fshatin Civita ku takoi drejtorin e tij Demetrio Emanuele nga i cili u njoftua për eksponatet e muzeut. Muze ky që ka të ekspozuara eksponate të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Arbëria.​



Fjalë Kryesore:

Të ngjashme