Komisioni për Integrime Evropiane mbajti mbledhjen e radhës, ku para komisionit raportoi ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Hoxha tha se institucionet kanë arritur të bindin BE-në se Kosova ka kapacitet të kryejë detyrat e saj, raporton Ekonomia Online.
“Prej kur janë caktuar 95 kushte, institucionet e Kosovës kanë qenë subjekt i vlerësimit rigoroz, kemi arritur t’i bindim institucionet e BE-së se Kosova ka kapacitet të zbatojë detyrat e saj. Tani me ratifikimin e demarkaiconit procesi është në duart e Bashkimit Evropian”.
“Ne synojmë të ofrojmë materiale shtesë dhe çfarëdo tjetër që gjatë këtij viti të kryhen procedurat institucionale për në BE, ky synim do hapa të sigurtë. Institucionet e Kosovës kanë kryer detyrat e veta, përgjegjësia është në duar të BE-së që në afat të shkurtër kohor të fillojë vendimmarrja”.
Kryetarja e komisionit, Blerta Deliu-Kodra, pyeti se sa është arritur në përqindje luftimi i krimit të organizuar.
“Sa është arritur në përqindje të kryejmë obligim karshi krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku jemi ne si Kosovë, kur ne do të marrim rekomandimin pozitiv nga Komisioni”.
Ministrja Hoxha tha se sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të ketë një përqindje të caktuar, sepse në vazhdimësi prodhohen rezultate.
“Është vështirë të thuhet në përqindje sepse është kriter vështirë të caktohet, është kriter që në vazhdimësi të prodhohet rezultat, nuk eshtë diçka që matet me përqindje”.
“Nga shtete që mund ta pengojnë këtë proces, katër vende kanë qenë pragmatike në procesin e liberalizimit të vizave, i vetmi vend që presim rezistencë është Spanja. Tani procedurat janë në duar të BE-së. Ne presim që këto procedura të marrin kohë rreth 6 muajsh, presin brenda këtij viti kosovarët të udhëtojnë pa viza”.
Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua ministres duke thënë se nuk ka lejuar qasje në raportin e fundit të BE-së që sipas saj, Kosova nuk ka shënuar progres në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“U bë presion, u manipulua tek qytetarët se do merret liberalizimi pas raitifikimit të demarkacionit, doli që çështja e sundimit të ligjit të jetë më e vështirë, qenkemi kogja larg ministre. Rastet që i përmendët të zgjidhura janë kërkesë për luftimin e krimit të organizuar, kërkohet krijimi i një regjistri, tregoni a është arritur kjo”.
“Ju si ministre i përgjigjeni Kuvendit dhe deputetëve, jeni e detyruar ta jepni informatat e nevojshme për punën e juaj, unë kam kërkuar nga ministria juaj për të më ofruar raportin profesional e dërguar nga ekspertët evropian për të arriturat e Kosovës, keni bllokuar punën time duke mos më dhënë qasje në raport për të kryer punën time”.
Hoxha iu përgjigj ashpër deputetës Pacolli duke i thënë se lobimi duhet të vazhdojë dhe si depuetëtë duhet të dijnë më mirë hapat drejt rrugës për në BE.
“Lobimi duhet të vazhdojë gjithmonë. Lobimi është proces që do vazhdohet në vazhdimësi, ne si ministri e Integrimit Evropian duhet të lobojmë dhe është proces që të gjitha shtetet e bëjnë. Regjistri është i krijuar, data-baza e 39 rasteve është në regjistër dhe veprimet që janë ndërmarrë për këtë janë në regjistër”.
“Raportet janë të rregullta, raporte që analizojnë çdo herë sektorin e sundimit të ligjit. A ndikon raporti në përgjigjen finale, ju si anëtare e komisionit duhet të dini procedurat, ne si ministri i dimë dhe sipas afateve të paracaktuara nga takimet që atje mbahen shumë shpejtë të fillojë procesi i vendimmarrjes”.
Ilir Deda, nga LDK-ja kishte disa kërkesa për ministren Hoxha duke thënë se duhet të bëhet ndarja e pakos së ligjeve për liberalizim dhe ERA-n, sepse sipas tij nuk ka qartësi për këto dy çështje.
“Kërkesa ime është se po mbetet e paqartë, është një pako e ligjeve që lidhet me ERA-n dhe liberalizimin e vizave ta kemi të qartë se cila është pakoja e ligjeve për ERA-n dhe pakoja e ligjeve për liberalizim. Cili është numri i saktë i ligjeve që duhet t’i kalojë Kuvendit të Kosovës që të mbushet kriteri plotësisht për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Hoxha tha se nuk ka një pako të ligjeve për liberalizimin e vizave por sipas saj kanë qenë 95 kritere të caktuara nga BE-ja më 2012 dhe që nuk mund të ndryshojë rrugës diçka pasi vlenë ai caktim.
“Nuk ka pako të ligjeve që kërkohet për liberalizim të vizave. Udhërrëfyesi ka pas 95 kritere, nuk na është thënë se do të ketë kritere të reja, sa i përket pakos së ligjeve kodi penal, i procedurës penale janë në reformë të tillë”.
Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua ministres duke i thënë se nëse nuk ndodh liberalizimi i vizave çfarë do tu thonë qytetarëve.
Hoxha iu drejtua Pacolli duke i thënë “çfarë do tu thoni ju që keni kundërshtuar kur do të liberalizohen vizat”.
Pacolli theksoi se argumenti i vetëm i tyre është se nuk do të shesin tokë për viza.
“Argumenti jonë është se nuk do të shesim tokë për viza”.