Hoxha priti në takim lamtumirës ambasadorin e Francës

Prishtinë | 09 Kor 2019 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim lamtumirës, ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, të cilin e falënderoi për bashkëpunim dhe përkrahje të fuqishme të procesit integrues.

Hoxha, tha se ambasadori Chabert por edhe diplomacia franceze, ka dëshmuar përkrahjen e proceseve të cilat po i kalon Kosova, në veçanti reformat nga Agjenda Evropiane, zbatimi i MSA-së si dhe përkrahja për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur mbështetje të plotë nga Ju z. Ambasador Chabert, për proceset të cilat po i kalon Kosova, në veçanti përkrahjen për liberalizimin e vizave. Koha dhe aktualiteti politik është i tillë që kemi pritur më shumë në këtë drejtim nga Franca, megjithatë, faktorët e brendshëm dhe pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, presim të rikthehet në fokus lëvizja e lirë dhe largimi i çdo dyshimi për rrugën tonë integruese”.

Ambasadori Chabert, vlerësoi bashkëpunimin dhe institucionet e Kosovës, në veçanti me Ministrinë e Integrimit, duke ditur dhe njohur prioritetet e Kosovës për integrimin brenda vlerave evropiane.

Po ashtu, Ambasadori Chabert e falënderoi Ministren Hoxha duke rikonfirmuar përkrahjen e tij, si një mik i dëshmuar i Kosovës, përkrahës i fuqishëm për integrimin sa më të shpejt të Kosovës me vlerat integruese euro-atlantike.

Ministrja potencoi se Ambasadori Chabert ka ndërtuar një miqësi dhe besim në mes të dyja vendeve, duke e quajtur këtë miqësi si vlerë për vendin tonë, miqësi e cila do të bëhet edhe më e madhe në të ardhmen, duke qenë rrugë dhe synim i përbashkët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme