Në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, nëpërmjet një performance në Stacionin e Trenit në Prishtinë, ka apeluar që sa më shpejt të themelohet Muzeu i dhimbjes që kujton eksodin e qytetarëve të Prishtinës, ide kjo e iniciuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
Hoxha, shprehu falënderim ndaj Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Malit të Zi që hapën në atë kohë kufijtë dhe shtëpitë e tyre për qytetarët e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka falënderuar edhe organizatat ndërkombëtare që ndihmuan të gjithë refugjatët për ta ruajtur dinjitetin minimal dhe për të shpresuar, si dhe të gjitha shtetet perëndimore që hapën dyert e aeroplanëve për të pranuar refugjatët në vendet e tyre.
Po ashtu, ajo falënderoi UÇK-në dhe NATO-n që mundësuan çlirimin e Kosovës për rikthimin në shtëpi dhe kërkoi që ky stacion, sa më shpejti të shndërrohet në Muze të dhimbjes, për të memorizuar historinë e re të Kosovës dhe rëndësinë që ajo ka për brezat e rinj.
Deklarata e plotë e deputetes Eliza Hoxha:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, kujtojmë problemin e refugjatëve në nivel të botës si një krizë bazike që po ndikon në vendet e zhvilluara të cilat janë duke i akomoduar mbi 70 milion njerëz të zhvendosur. Ky duket të jetë numri më i madh i njerëzve që kanë ikur nga dhuna dhe konflikti që nga Lufta e Dytë Botërore. Vitin e kaluar, çdo ditë nga 37,000 njerëz i kanë lëshuar shtëpitë e tyre, çdo ditë. 21 vite më parë, pothuajse gjysma e popullatës së Kosovës, ishin të zhvendosur dhe u bënë refugjatë.
Mbi 600,000 jashtë Kosovës dhe 400.000 të tjerë të zhvendosur brenda territorit të Kosovës. Personalisht, kam qenë një nga refugjatët në Maqedoni, nga data 1 prill 1999 deri më 13 Qershor 1999. Atë ditë lamë prapa gjithçka, pa e ditur nëse do të ktheheshim ndonjëherë. Ka qenë një nga ditët më të vështira të jetës sime. Një çrrënjosje e dhunshme, një tëhuajsim, një njeri pa adresë, pa valixhe, pa ID. Ky vend ku jemi sot, shënon stacionin i cili u bë vendtakim nga zori, nga dhuna dhe nga presioni.
Këtu treni nuk kishte kaluar dhe nuk ishte ndalur mbi 10 vite radhazi prej kur ishte hapur stacioni i ri i trenit në Fushë Kosovë (atë kohë ishte pjesë e Komunës së Prishtinës). Dhe treni nisi të ecte përsëri me të vetmin qëllim që t’i deportonte shqiptarët e Kosovës prej saj.
Në këtë rrugë, midis shpëtimit dhe çrrënjosjes, jetës dhe harresës, dashnisë dhe vetmisë, përkatësisë dhe të huajsimit, treni i refugjatëve bartë me vete rrëfime të shumta të padëgjuara, të pa rrëfyera e të pathëna. Aq shpejt kemi harruar? Apo nuk kemi dashur të flasim? Lufta përfundoi dhe ne u kthyem sërish në Kosovë e treni që nga ajo kohë nuk lëvizi ndër vite…
Ky stacion me shumë kujtime, duhet të flas më shumë me ne dhe për ne. Ky stacion i zbrazët nga pasagjerët, mund të mbushet nga sot me rrëfimet e tyre dhe të na mundësoj një udhëtim në përvojat tona gjatë luftës për mbijetesë dhe liri. Ky stacion, duhet të jetë stacioni ynë i kujtesës kolektive dhe dhimbjes që përjetuam për t’i gëzuar sot ditët në liri.
Sot, në këtë ditë të bukur, dua t’i them faleminderit Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Shqipërisë e Malit të zi që hapën kufijtë dhe shtëpitë e tyre për të na akomoduar në ditët e vështira.
Sot dua t’i them faleminderit organizatave ndërkombëtare që ndihmuan të gjithë refugjatët për ta ruajtur dinjitetin minimal dhe për të shpresuar. Sot dua t’i falënderoj të gjitha shtetet perëndimore që hapën dyert e aeroplanëve për të pranuar refugjatët në vendet e tyre.
Sot, dua të falënderoj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-n që mundësuan çlirimin e Kosovës dhe ne u rikthyem në shtëpitë tona. Ky stacion, sot objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore meriton që të përbrendësoj të gjitha këto dhimbje e sfida të refugjatëve kosovarë për t’i kujtuar, për të mos i harruar, për t’i respektuar.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli që nga Maji i vitit 2019, e ka propozuar që ky stacion të shndërrohet në Muze të Dhimbjes – atëkohë nga pozicioni i Kryetarit të Kuvendit. Ai e ritheksoi këtë edhe një herë para një muaji si nevojë për ta memorizuar historinë e re të Kosovës dhe rëndësinë që ajo ka për brezat e rinj.
Sot, me këtë aktivitet, këtë nismë, do e fuqizojmë drejt realizmit të këtij qëllimi dhe së shpejti themelimin e Muzeut. Nuk është asnjëherë vonë për të kujtuar.