Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, sot, ka marrë pjesë në konferencën me temën “Hetimi i dhunës seksuale dhe të bazuar në gjini – Sfidat dhe mundësitë për bashkërendim forenzik” të organizuar nga misioni i EULEX-it në Kosovë.
Gjatë kësaj konference, Ministrja Hoxha, ka falënderuar EULEX-in dhe institucionet vendore për angazhimin e tyre në lidhje me përdorimin sa më efektiv të teknikave forenzike gjatë rasteve të krimeve të dhunës seksuale të cilat paraqesin shkelje të rëndë të drejtave të njeriut.
”Është tejet shqetësuese kur dëgjon numrin e rasteve të dhunës seksuale dhe pikërisht për këtë ekziston një vullnet i madh për ta luftuar këtë dukuri negative. Duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë e dhunës seksuale dhe dhunës mbi baza gjinore, duhet të krijohet një qasje më e mirë, përmes bashkëpunimit ndërmjet akterëve relevant sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i luftojmë këto shkelje të të drejtave të njeriut. Jemi të përkushtuar për zero tolerancë ndaj dhunës seksuale dhe dhunës mbi baza gjinore”, theksoi Ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha theksoi se me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, nga Qeveria është emëruar “Komisioni për kompensimin e Viktimave të Krimit”, si dhe janë përgatitur edhe draftet e udhëzimeve administrative.
Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me institucionet tjera mbetet e përkushtuar në krijimin dhe forcimin e mekanizmave ligjorë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me theks të veçantë mbrojtjes nga çdo lloj dhune ndaj gruas.